I sëmuri mendor fajëson viktimën: Ikte pa më thënë, nuk jam penduar
Krimi në Shqipëri ka marrë udhën dhe asnjë nuk po e ndalon. Pas vrasjes makabre të gjyqëtares Fildes Hafizi, apo të krimit në Shkodër aty ku xhaxhi vrau me thikë nipin e tij për shkak të pronësisë për oborrin e përbashkët, të dielën një tjetër grua u vra nga bashkëshorti i saj. Ngjarja makabre u regjistrua në fshatin Blacë në Pogradec, ku 49-vjeçari Bashkim Mekolli vrau me sqepar dhe thikë bashkëshorten, Demirkë Mekolli, 49-vjeçe.
Autori i vrasjes së rëndë ka pranuar se gruan e vrau për shkak të xhelozisë, por që për këtë vrasje ai nuk pendohet. Në polici ai ka deklaruar se dyshonte se gruaja e tradhëtonte, edhe se ajo nuk i tregonte se ku shkonte. “Nuk jam penduar për atë që bëra. Ne grindeshim çdo ditë, dyshoja se ajo më tradhtonte. I kërkoja gjithmonë llogari ku shkonte, por ajo nuk më përgjigjej siç duhet. Isha xheloz dhe prandaj e vrava. Sherri me gruan nisi që në darkë dhe nuk durova dot. Mora çfarë gjeta para dhe e godita në kokë kur e pashë në oborr. Kaq mbaj mend”, mësohet të ketë deklaruar Bashkim Mekolli. Nga martesa çifti ka një dale 16-vjeçar, i cili jeton në Itali me tezen e tij, motrën e viktimës.
Ngjarja
Ngjarja tronditëse u regjistrua rreth orës 8:30 të mëngjesit të së dielës në fshatin Blacë të Pogradecit. 49-vjeçari, Bashkim Mekolli vrau bashkëshorten e tij, Demirkë Mekolli duke e goditur me sqepar pas koke. Pasi janë grindur me njëri-tjetrin, burri ka rrëmbyer një sqepar dhe një thikë në dorë dhe e ka ndjekur gruan sapo ajo ka zbritur shkallët e shtëpisë për të dalë në oborr. Ka qenë një e afërme e autorit ajo që ka parë e para skenën e krimit dhe ka sinjalizuar edhe persona të tjerë ndërsa ka qenë vetë autori ai i cili ka kërkuar që të njoftohej policia për krimin që kishte kryer. Ata ishin prindër të një djali të vetëm, aktualisht 16-vjeçar ndërsa familja përballej me varfëri të vazhdueshme dhe i vetmi mjet jetese ishte ndihma ekonomike që ata merrnin. Dy muaj më parë Bashkimi kishte kërkuar edhe ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së tij psikologjike që sa vinte e rëndohej dhe ishte diagnostikuar me depresion.
Rrëfimi i babait
Babai i 49-vjeçarit, Nexhdet Mekolli, ka treguar se djali i tij vuante nga depresioni dhe se ngjarja mund të ishte parandaluar ndërsa jetën e çiftit e përshkruan tejet të vështirë sa i takon aspektit financiar dhe grindjeve të vazhdueshme si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike të të birit. “Djali ka qenë prej kohësh i kuruar me depresion, por nuk na e pranonin në Tiranë. Krimin e ka kryer kur ka qenë jashtë kontrollit. Kishin kushte të vështira. I kam marrë në banesë sepse jetonin në kasolle”,-tregon ai i dëshpëruar. Ai tregon edhe se djalin e gjeti me thikë në dorë. “Sapo kam dalë nga shtëpia më ka lajmëruar nusja e nipit për vrasjen. Kur kam shkuar e kam gjetur nusen të pajetë, të masakruar, të mbuluar me gjak, ndërsa djali me thikë në dorë vinte vërdallë nëpër oborr”, thotë ai.

