Identifikohet shqiptari që u vra duke vjedhur banesën nga pensionisti italian

 

Identifikohet 22-vjeçari shqiptar, i cili  u qëllua për vdekje nga një pensionist italian, te dera e shtëpisë së këtij të fundit në tentativë për vjedhje. Hetimet tregojnë se 22-vjeçari shqiptar, Gjergj Gjoni kishte shkuar për të vjedhur në shtëpinë e pensionistit, mirëpo ky i fundit e ka pikasur dhe e ka qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur.

Gjergj Gjoni është nga fshati Gojan i Pukës. Ai jetonte në Milano të Italisë si emigrant. Në vitin 2013 i ishte mohuar viza, madje ishte dëbuar nga shteti italian.

Duke qenë se ishte i fejuar atje me një vajzë, Gjoni tentoi hyrjen në Itali në mënyrë ilegale. Kohët e fundit ai jetonte pa dokumente dhe nuk kishte mundësi të punonte.

Hetimet tregojnë se ai hynte në shtëpitë e periferisë së Milanos dhe vidhte për të mbijetuar. Mirëpo, në shtëpinë e 65-vjeçarit Francesco Scignano, ai u qëllua për vdekje. 

Trupi i tij ndodhet akoma në Itali dhe pritet që t’i nënshtrohet autopsisë. Pas autopsisë, e cila pritet të përfundojë ditën e hënë, trupi i tij do të sillet në Shqipëri.

SHKARKO APP