Idrizi: PDIU do të konfirmohet parti politike e fortë në zgjedhjet e 21 qershorit

 

Kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi zhvilloi sot një takim me strukturat e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dega Vlorë mbi organizimin e zgjedhjeve të 21 qershorit. Gjatë takimit u bisedua mbi problematikat që shqetësojnë elektoratin e PDIU-së në këtë qark dhe në veçanti komunitetin e shqiptarëve të Çamërisë. Z. Idrizi sqaroi përpara strukturave drejtuese arsyet që çuan PDIU të pozicionohej në Aleancën për Shqipërinë Evropiane. Ai theksoi se vendimi u mor me unanimitet në grupin parlamentar dhe Këshillin Kombëtar të PDIU-së.

Strukturat e PDIU-së dega Vlorë e përkrahën këtë pozicionim dhe vendosën ngritjen e shtabit elektoral për zgjedhjet lokale dhe nisjen e procesit të hartimit të listës së kandidatëve për këshillin bashkiak. Ata paraqitën shqetësimet mbi problemet e legalizimit të pronave të tyre shtatëdhjetëvjeçare, si edhe margjinalizimin e lagjes Çole, e cila banohet më së shumti nga shqiptarë të Çamërisë.

Në përfundim të takimit, z. Idrizi u prononcua për mediat, duke vendosur në pah se Vlora do të jetë epiqendër e peshës elektorale të PDIU-së dhe duke u angazhuar se do të mbikqyri personalisht procesin zgjedhor në këtë qark. I pyetur nga gazetarët mbi mungesën e deputetit Dashamir Tahiri, z. Idrizi theksoi se PDIU është e unifikuar, e gjithë prezenca ishte në takim dhe nuk mund të ketë dy PDIU, por vetëm një. Ai kujtoi se deputeti Tahiri kishte deklaruar publikisht se ka një axhendë të tijën, ndryshe nga kryetari i PDIU. Z. idrizi tha se PDIU do të konfirmohet një forcë politike e fortë dhe do të rrisë peshën elektorale në zgjedhjet e ardhshme.

SHKARKO APP