IGJEO: Rrezik i lartë për zjarre në 5 qarqe, temperaturat deri në 36° C
Sot pasdite dhe gjatë ditës së nesërme pritet rrezik i lartë për zjarre në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier.
Sipas Institutit të Gjeoshkencës, në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër niveli i rrezikut pritet të jetë “i moderuar”, ndërsa në qarkun Korçë parashikohet nivel rreziku “i ulët”.
Në disa qarqe, rreziku “i lartë” pritet vetëm në zona të lokalizuara, konkretisht në verilindje të Kukësit, jugperëndim të Dibrës, lindje të Elbasanit, verilindje të Beratit, perëndim të Vlorës, si dhe në veri dhe jug të Gjirokastrës.
Sipas parashikimit, rreziku për përhapjen e zjarreve pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme, për shkak edhe të kushteve të motit.
Sa i përket reshjeve, sot pasdite priten reshje të dobëta të shoqëruara me shtrëngata në qarqet Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta deri lokalisht të dobëta.
Ditën e premte nuk priten reshje në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat minimale dhe maksimale nesër pritet të luhaten nga 22° Celsius deri në 35° C në zonat bregdetare, nga 20° C deri në 36° C në vendet e ulëta, ndërsa në zonat malore temperaturat do të variojnë nga 14° C deri në 29° C.
Era sot pasdite dhe nesër pritet të jetë e lehtë deri mesatare, ndërsa në zonat bregdetare dhe malore, për momente, mund të jetë e fortë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht në zonat pyjore dhe me bimësi të dendur.
KOHA JONË SONDAZH

