Iku në Siri, shqiptarja bën rrëfimin rrëqethës pasi ia vranë burrin: Unë s’mund të flas më shumë
Një vajzë 24-vjeçare nga Prishtina, e cila shkoi pas burrit të saj në Siri është duke kërkuar me ngulm të kthehet sërish në Kosovë.
Bashkëshorti i saj nuk jeton më dhe ajo kërkon të kthehet me patjetër në vendin e saj në Kosovë.
Gruaja me emrin Edina ka kontaktuar me Radio Evropa e Lirë dhe ka treguar se jeton në kushte çnjerëzore në kampin Al-Nisa në Siri.
Ajo ka thënë:
Këtu në këtë vendin, në këtë kampin ku jemi ne, që na kanë nxjerrë prej burgut, quhet Al-Nisa, Koban. Edhe këtu tash për tash është një motër shqiptare, këtu me mua, një motër maqedonase me çikën e vetë edhe çikën e çikës së vetë edhe unë kosovare. Kushtet janë shumë të këqija, shumë, tmerr i gjallë. Na kanë lënë nëpër kampe nga 100 veta të plagosur. Edhe as nuk ka ushqime edhe as nuk ka ujë të mjaftueshëm. Na japin ujë të nxehtë për të pirë. Kurrfarë kontakti unë nuk kam pasur më herët. Para një jave kam dalë nga burgu. Kam qenë në Koban, nëntokë në burg kemi qenë. Tash me erdhi mundësia për të folur me ju. Ne nuk kemi kurrfarë kontakti me askënd tjetër. Kaq, unë s’mund të flas më shumë. Na bëni hallall.’’
Pas kësaj dëshmie nga 24-vjeçarja ka reaguar Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, Fatos Makolli.
Ai ka deklaruar se institucionet do të ndërmarrin masat e nevojshme konform rrethanave dhe mundësive, për ta sjellë 24-vjeçaren në Kosovë.
Deri më tani në Kosovë janë kthyer 110 shtetas nga Siria.

