“Ilaçi eksperimental që po bën “mrekulli”! Pacientët me Covid-19 shërohen më shpejt

Një ilaç eksperimental, i quajtur remdesivir, duket se po bën mrekullira në luftën kundër pandemisë koronavirus. Remdesivir është përdorur gjerësisht tek pacientët e infektuar në një spital të Çikagos dhe ka bërë që ata të shërohen më shpejt.

Raportimi vjen nga portal mjekësor “STAT News” dhe është percjellë nga media të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë CNN.

Të gjithë pacientët që iu nënshtruan eksperimentimit klinik patën simptoma të ashpra respiratore dhe temperaturë të lartë, por të gjithë u shëruan dhe dolën nga spitali brenda një jave. Aktualisht, nuk ka asnjë trajtim apo terapi të aprovuar për Covid-19, infeksion i cili mund të shkaktojë pneumoni të rëndë dhe akute, si dhe probleme të theksuara në frymëmarrje.

Për të zbuluar një ilaç efikas, Instituti Kombëtar Amerikan i Shëndetit po organizon testime të disa medikamenteve dhe trajtimeve, mes tyre dhe Remdesivir. Ky ilaç, i prodhuar nga “Gilead Sciences”, është testuar më herët edhe tek pacientët e infektuar me Ebola, por pati pak sukses.

Studime të shumta tek kafshët treguan se medikamenti në fjalë mund të parandalonte dhe trajtonte infeksionet e shkaktuara nga Covid-19 dhe koronaviruset e tjera si SARS apo MERS. Rekomandim pozitiv për këtë ilaç ka dhënë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

SHKARKO APP