Ilir Kulla ironizon kërcënimet e Vuçiçit: Përkthyesit e kanë ngatërruar me Millosheviçin

Eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Ilir Kulla e vlerëson të drejtë vendimin e qeverisë të Kosovës për vendosjen e reciprocitetit në targa me Serbinë. Ndërkohë që për kërcënimet e presidentit serb, Aleksandr Vuçiç se do të marrin masa të dhimbshme, ironizon duke thënë se përkthyesit janë ngatërruar në përkthim me ato që ka thënë Millosheviçi në Fushë-Kosovë në fund të viteve 80-ta.

Kulla në një intervistë për KosovaPress hedh dyshime mbi atë që mund të bëjë Serbia për gjëra shumë më të mëdha, kur nervozohet për diçka kaq teknike, e që është diçka që kjo e fundit i ka detyruar qytetarët e Kosovës.

“Nuk besoj t’i ketë thënë presidenti i një vendi demokratik dhe mik këto fjalë. Ndoshta janë ngatërruar në përkthim me ato që ka thënë Millosheviqi në Fushë Kosovë në fund të viteve 80. Gjithsesi jetojmë në kohë të çuditshme, gjithçka bën vaki”, thotë ai.

Ai vlerëson se kushdo që të ishte në krye të ekzekutivit në Kosovë do të duhej të vepronte njëjtë me reciprocitetin në targa.

“Çdo qeveri e Kosovës në kushtet e qeverisë aktuale do të duhej ta bënte një gjë të tillë, është minimumi që mund të bënte. Kur qeveria e Serbisë nervozohet për diçka kaq teknike, çka mund të bëjë për gjëra shumë më të mëdha në proces të bisedimeve”, thekson ai.

Ai komenton edhe bllokimin e rrugës nga serbët në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Epo, çështja është pikërisht aty, këta qytetarë a janë serbë apo kosovarë, sepse me qytetari nënkupton vendin ku jeton pra shtetësinë e atij shteti, nëse në kombësi origjinën tënde etnike, gjuhën kombëtare dhe traditën. Nëse janë serbë të Serbisë atëherë ndryshon çështja. Por nëse Serbia nëpërmjet serbëve të Kosovës do të mbajë një Serbi të vogël brenda shtetit të Kosovës, me institucionet dhe ligjet e veta atëherë këtu ndryshon çështja”, thotë Kulla.

Eksperti i sigurisë ndërkombëtare shprehet i bindur se vendosja e reciprocitetit në targa me Serbinë, nuk mund të ndikojë në destabilitet të rajonit, porse thekson se është Serbia ajo që mund të bëjë një gjë të tillë.

“Jo, nuk mendoj që mund të ketë destabilizim. I vetmi shtet i fuqishëm që ka mundësitë edhe ekonomike edhe ushtarake ta destabilizojë rajonin është Serbia”, thotë ai.

Të hënën Ministria e Punëve të Brendshme mori vendim për zbatimin e masës së reciprocitetit në targa me Serbinë, gjë që nuk u mirëprit nga serbët në veri të vendit.

SHKARKO APP