Ilir Meta mund të kthehet i lirë në pranverë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mund të rifitojë lirinë pak ditë pas zgjedhjeve të 11 Majit. Me garancinë e një pozicioni të sigurt në listat e kandidatëve për deputetë, mandati bën që masa e arrestit të bjerë. Precedentët ekzistojnë dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve duket se është në dijeni.
”Nuk mund në këtë moment të jap një vendim për një çështje, e cila mund të jetë potencialisht objekt i shqyrtimit nga komisioneri madje edhe nga institucione të tjera”, thotë kreu i KQZ-së, Celibashi. Efektet ligjore të imunitetit parlamentar lidhen me momentin e fillimit të mandatit të deputetit, rast për të cilin Ilirjan Celibashi citon Kushtetutën, duke theksuar se kandidati cilësohet deputet nga momenti i shpalljes si i tillë nga komisioni përkatës zgjedhor.
”Ajo çfarë Kushtetuta parashikon është fakti që çdo kandidat për deputet që shpallet fitues, e fiton mandatin që nga momenti që komisioni përkatës zgjedhor e konfirmon si të tillë, si kandidat fitues”. Referenca ligjore e cituar nga Celibashi është Neni 71 i Kushtetutës që në pikën 1 sanksionon se ”mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve”.