Ilir Meta-Sali Berisha përfundimisht armiq

 

Parlamenti i djeshëm nuk i zhgënjeu pritshmëritë. Nga një seancvë radhe u kthye në një seancë turpi të politikës. Për 4 orë, shqiptarët u bënë dëshmitarë të një gjuhe të paprecedentë dhe të akuzave që dukeshin sikur vinin nga tavolina bandash dhe jo nga foltorja e Kuvendit apo nga deputetë. Një histori akuzash me video dhe pagesa për vrasje, e bërë publike nga Tom Doshi ka hapur një spirale të rrezikshme për politikën shqiptare.Opozita bëri thirrje për revolta dhe bllokoi seancën e Kuvendit. Për të njëjtat veprime, kur Bashkim Fino i binte bilbilit në vitin 2009, PD-ja e quajti opozitën e asaj kohe si antikombëtare.Por situata është më e rëndë se atëherë. Bile po përgatiten për shumë më keq selia blu. Në skenë kanë dalë akuza për vrasje, për të cilat edhe pse nuk ka asnjë provë, opozita i ka kthyer në kauzë kryesore duke rritur tensionet politike. Shfaqja e djeshme nuk shokoi vetëm shqiptarët. Akuzat dhe sherrnaja në Kuvend bëri që edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të largohen nga salla, duke thënë se “nuk mund të shohin një shfaqe të shëmtuar”. Në fakt, më shumë se e shëmtuar, ishte një skenar i rrezikshëm. Kacafytjet në Kuvend përkthehen në përplasje reale në terren. Ishte një kthim prapa i politikës shqiptare, ku logjika ia ka lënë vendin amullisë dhe britmave për rrëzimin e qeverisë. Sigurisht, opozita është në të drejtën e saj të shfrytëzojë situatat brenda mazhorancës. Por kalimi në një sulm të tillë, për një histori që ka shumë pikëpyetje rezulton ta kthejë diçka që dyshohet si sajesë, në një problem real me kosto të mëdha për vendin. E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj historie dhe që maskarada e Kuvendit të mos përsëritet të enjten e radhës është që Prokuroria e Përgjithshme t’u japë përgjigje të shpejtë pyetjeve që ka ngritur çështja “Doshi”. Në të kundërt, dje pamë vetëm fillimin e një përplasje që nuk dihet se kur përfundon. Opozita e dha sinjalin se po përgatitet për protesta të rrezikshme që të kujtojnë 21 janarin, porse këtë rradhë nuk është kryeministër Berisha, por Edi Rama.

Debati maratonë në Kuvend kishte dy protagonistë Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Doza e akuzave, toni i tyre dhe gjestet dhanë dhe një mesazh: Marrëdhënia mes tyre ka marrë përfundimisht fund. Pas 6 vjetësh, që nga viti 2009, Sali Berisha hapi për herë të parë “dosjen” e akuzave për kreun e Kuvendit. E ka sulmuar edhe gjatë fushatës së vitit 2013, por gjithmonë është ruajtur që të mos e kalojë masën e akuzave për konsumim elektoral. Shënjestra e Berishës ka qenë gjithmonë Rama, por objektivi i tij tashmë është aleati i dikurshëm, Ilir Meta. E kishin ruajtur paksa njeri tjetrin për njëmijëenjë arësye, por nga dje u nxorën shpatat. E njëjta gjë vlen edhe për kreun e Kuvendit. Që pas vitit 2013 e ka kritikuar opozitën, por gjithmonë për Berishën ka ruajtur “një konsideratë të veçantë”. Kjo dukej dhe në kohën pa limit që i lejonte të fliste, si dhe në kujdesjen që Doktori të ishte gjithmonë i pranishëm, edhe kur e tepronte, në debatet parlamentare. Dje të dy e kaluan vijën e kuqe. Paqja e heshtur e dy ish-aleatëve ka marrë fund. Për Metën, kjo prishje është e kuptueshme, pasi Berisha po kërkon “kokën e tij” duke u bazuar në dëshminë e një personi me precedentë penalë dhe në deklaratat e deputetit Doshi,gjë që nuk është provuar nëse është e sajuar si video apo e vertetë. Mbetet Prokuroria që ti jap verdiktin e nuk kishte pse PD të hidhej në sulm për një gjë që nuk dihet nëse ekziston. Tensioni dhe shpërthimi i Metës është i kuptueshëm edhe për një arsye tjetër. Historia e Doshit që po përdoret nga Berisha, sipas Metës, ka pas kuintave edhe Dritan Priftin, një personazh që ka tentuar ta “vrasë politikisht” Ilir Metën. Për Berishën, pavarësisht vërtetësive të akuzave, ky është një rast i artë. Gjullurdia e akuzave të Doshit, janë ose jo të vërteta, i ka sjellë më shumë efekt se çdo nismë tjetër që ka ndërmarrë gjatë gati dy viteve në opozitë. Mbi të gjitha, ky është dhe një rast për të bërë diversion brenda radhëve të mazhorancës pak muaj para zgjedhjeve. Dhe Berisha e di se jo të gjithë në PS “vdesin” për Metën.

Marrëdhënia mes Sali Berishës dhe Ilir Metës është historia politike e 20 viteve të fundit. Janë urryer dhe kanë akuzuar njëri-tjetrin, por interesat politike e kanë sjellë që edhe të bashkëpunojnë. Viti 2009 ishte kulmi një historie të pabesueshme, ku rrethanat e sollën që dy armiqtë të uleshin në një qeveri. Deri dje ishin kundërshtarë politikë që nuk e thoshin fjalën e fundit. Pakti i heshtur u prish. Berisha nxori në skenë gjithë arsenalin e akuzave, duke mos kursyer as bashkëshorten e kreut të Kuvendit. Ndërsa Meta i kujtoi një histori të vjetër të djalit të tij, Shkëlzen Berisha dhe një video me ish-ministrin Dritan Prifti  me djalin e tij. Të dy e kanë prekur njërit-tjetrin në gjëra për të cilat nuk të falin. Ndaj dje ishte sinjali i një krisje të madhe që ka ndodhur dhe ky është vetëm fillimi. Berisha dhe Meta, përfundimisht janë armiq. Në Tiranë ruhen të mos kacafyten se ka edhe gardë, por për dreq në Gjirin e Lalzit në Durrës kanë edhe shpijat ngjitur, krejt afër. Miq-armiq përfundimisht ! Edi Rama ndjehet më i qetë pas kësaj.

Qamil Xhani

 

SHKARKO APP