Imami: Nëse Rama është kriminel që vjedh të gjitha zgjedhjet, PD të mbyllet fare

Një grup prej 10 zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të Partisë Demokratike, themelues dhe studentë pranë saj qysh nga dhjetori 90, publikuan në mesditë një deklaratë, ku bëjnë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve kryetarin e saj, Lulzim Basha dhe kërkojnë dorëheqjen e mënjëhershme të tij.

Arben Imami, një prej firmëtarëve e kërkesës, i ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se kjo kërkesë e tyre bëhet për faktin se Basha nuk jep dorëheqjen dhe nuk reflekton për humbjet radhazi të betejave elektorale.

Imami: E kërkojmë dorëheqjen se nuk e jep. Njeriu që humb katër palë zgjedhje duhet të japë dorëheqjen. Basha de facto pranoi mbrëmë rezultatin e  zgjedhjeve  ashtu sikurse de facto nuk reflekton për të marrë përgjegjësitë e tij dhe mendon se duhet të fillojë një luftë tjetër që sipas hesapeve të mia del 8-12 të tjera por mund të jetë dhe më pak.

Nuk është kërkesë e pazakontë kur ata që duhet të reflektojnë për përgjegjësitë e tyre nuk reflektojnë dhe nuk është kërkesë e pazakontë për njerëz që e kanë jetën të lidhur për këtë parti, kemi punuar me vite. Fatkeqësisht këto zgjedhje nuk sollën atë që duhet të sillnin, duhet të vinte rotacioni politik.

Zgjedhjet nuk siollën rotacion politik, nuk sollën një reflektim për shkaqet e të keqes në këtë vend që qëndron aktualisht në disa kolona kushtetuese, ligjin për partitë, ligjin elektoral. Nuk sollën një reflektim për gabimet që janë bërë, janë bërë gabime shumë të rënda, nuk sollën reflektim për sjelljet e liderëve që kanë qenë ekstreme.

Sot dalin nga parlamenti, nesër ulen në tavolinë dhe arrijnë çfarëdo që do ai tjetri. Qytetari shqiptar nuk ka nevojë për këto ekstreme, mund të jemi shumë më të moderuar, mund të bëhet një politikë shumë më e mirë. Nga ana tjetër 8 vjet të Edi Ramës pa opozitë dhe 4 të tjerë tani, janë shumë shumë shumë. Kjo ka qenë një nga qeverisjet më të këqia që ka parë ky vend.

Numri i simbolik që fshihet pas kësaj kërkesë për Imamin nuk është një problem pasi mund ta kishte bërë dhe i vetëm.

Imami: Unë do ta kisha kërkuar dhe vetëm, idetë nuk janë çështje numrash. Kemi mbledhur para katër vjetësh lista me 100-200 njerëz, nuk është halli te njerëzit. Këta janë njerëz që kanë pasur një produkt dhe kontribut te PD, u mblodhëm. Iniciativa nuk ka lidhje me numrin por idenë.

Thotë se nuk ka dijeni nëse është mbledhur Kryesia e PD gjatë këtyre dy viteve pas nuk është më pjesë e saj. Por tashmë që gjithçka ka mbaruar, kërkon një analizë.

Imami: Nuk kam dijeni për 2 vitet e fundit, deri para dy vjetësh kam qenë anëtar i Kryesisë dhe kam bërë përpjekjet e mia. Me gjithë respektin për kryetarin e zgjedhur, qoftë dhe në mënyrë të diskutuar, i kam thënë përcakto disa objektiva për zgjedhjet lokale dhe të tjera.

Pasi u bë Kongresi dhe kam qenë jashtë kam mbajtur një qëndrim që nuk mund ta ndihmoja më këtë reformim të brendshëm të partisë. Muaj e fundit që kanë qenë muaj fushate nuk kam folur. Tani që të gjitha janë mbyllur secili ka të drejtën të bëjë analizë.

I pyetur se çfarë thotë statuti i PD për kryetarin, sa palë zgjedhje duhet të humbë që mos të jetë më i tillë, ai jep këtë përgjigje.

Imami: Nuk thotë gjë statuti i PD për këtë gjë. Standardi është vendosur. Kufizimi i mandatit të Kryeministrit për Bashën është një kriter shumë i thjeshtë pasi nuk ka për tu bërë ndonjëherë Kryeministër, ky tjetri që të humbësh më tepër se dy herë zgjedhjet është problematik për Bashën. PD, njerëzit,votuesit i kanë bërë përpjekjet e tyre. Kam parë dhe një farë entuziazmi.

SHKARKO APP