Importi i mbetjeve, shoqëria civile: Protesta popullore dhe referendum
Nisma e tre deputetëve të maxhorancës, për importimin e mbetjeve urbane në Shqipëri, e cila pritet të diskutohet si projektligj në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar, nuk ka mbështetjen e shoqërisë civile. Lidhur me këtë, Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka deklaruar se do të ketë protestave popullore.
Projektligji saktëson se bëhet fjalë për import të mbetjeve që futen në listën jeshile të BE-së, pra jo ndotëse. Për aktivistin Lavdosh Ferruni, kjo nismë rrezikon mjedisin dhe Shqipëria tha ai, do të kthehen në koshin e Europës. Më tej ai ka shtuar se: “Propozimi i projektligjit më 30 qershor dhe vendosja e tij në kalendar për t’u shqyrtuar në seancën plenare të Kuvendit më 21 korrik, datë në të cilën do të diskutohen edhe një mori ligjesh të tjera, përfshirë mendimi i Kushtetutës për reformën në drejtësi tregon se ka synim të qartë për ta kaluar tinëz ndryshimin që legalizon sërish lejimin e importit të plehrave”,- u shpreh ai.
Ndër të tjera, kreu i AKIP-së tha se do të riaktivizojë referendumin që mori mbështetjen e 64 mijë qytetarëve, por që nuk u konkretizua për shkak se qeveria e majtë e anuloi këtë projektligj sapo erdhi në pushtet në vitin 2013. “Propozimi aktual nuk ndryshon aspak nga propozimi i së shkuarës dhe rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash të Evropës. Shqiptarët kanë firmosur se nuk duan të shkojnë në Evropë nëpërmjet përpunimit të plehrave të Europës. Argumenti se Shqipëria sot paska Inspektorat Mjedisi dhe që kjo mjafton për t’u siguruar se nuk do të ketë import të paligjshëm mbetjesh është në sytë e Shqiptarëve qesharake”,- deklaroi ai.
Për të qartësuar më mirë këtë projektligj, Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, do të zhvillojë sot një seancë dëgjimore me grupet e interesit ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
R.SH
KOHA JONË SONDAZH

