Impresione nga Ksamili

Nga Ben Manaj-

Shkuarja në Ksmail këto ditë, pas çmendurisë së çmimeve deri në mes-korrikut, ishte e mbushur disi me një parehati dhe indinjatë, për shkak të gafës autogoliane për ata që mendojnë se të besh turizëm modern është njësoj si t’ua futësh turistëve njësoj si në Grand Bazar të Stambollit ku e fillon pazarin me 300 euro për një çante replike firmatosh që nuk vlen më shumë se 30 euro!

Por si resorti ku kam blerë shtëpinë time të dytë verore, pas asaj kryesores prej gjysmë shekulli në Tiranë, kam arsye të bollshme ta kritikoj për atë që gjykoj se është eksesive në qasjen ndaj asaj që quhet së fundmi industria e mikpritjes.

Andaj se vura këmbë ma përmendën miqtë dhe të afërmit e mijë të shumtë tepelenas dhe jo vetëm, si të ndjerë në faj shkrimin tim ku u thoja ksamiljotëve KUJDES para afro dy javësh, se nuk u bë deti kos kur vjen puna tek çmimet anormale të deri pak ditëve!

Ka reflektim pozitiv edhe ndaj ndjeshmërisë së turistëve vendas dhe të huaj por edhe kryeministrit, dhe kjo të gëzon kur sheh dhe konstaton se këta banorë që jetojnë në Ksamil dhe jetojnë me turizmin dinë të zmbrapsen kur e kuptojnë se gabojnë nga ethet e fitimit dhe mendjelehtësia kolektive e marrjes si të mirëqenë të mosreagimit nga klientët që kudo dhe kurdoherë në çdo biznes kanë të drejtë!

Por dy gjera më kanë impresionuar më shumë nga mbërritja në Ksamil!

Brenda më pak se një viti, Bashkia e Sarandës që mbulon edhe Ksamilin, që nuk do duhej për mendimin tim modest personal, sepse Ksamili nuk është fshat siç e cilësojnë në mënyrë shabllone disa media të huaj kur e cilësojnë village, ka asfaltuar dhe shtruar me kalldrëm shumicën dërmuese të rrugëve kryesore dhe rrugët dytësore që çojnë në aksin kryesor që shkon drejt Butrintit!

Një investim gjigant dhe një ndryshim rrënjësor infrastrukturor që të ngroh shpirtin! Një transformim mahnitës me një ndriçim të gjithëandejshëm, madje edhe me ndriçim publik me impiante solare!

Një duartrokitje masive për pushtetin lokal dhe padyshim kryetarin e ri të Bashkisë së Sarandës, Olti Cacin, që siç më thonë vendasit ka ndjekur thuajse çdo ditë nga afër punimet siç bën herë pas here, Rama me shumë projekte infrastrukturore dhe që ky i fundit ka një investim personal me Ksmailin e djathtë politikisht si mirënjohje për zgjedhjet e fundit!

Por realisht të duken rrugët me kalldrëm e peme e ndriçim mjaft cilësor, një oazë perëndimor si shumë resorte në shumë vende të Mesdheut!

Pa harruar edhe rregullimin e fasadave të të gjitha pallateve të vjetra të komunizmit me sistem kapot dhe që duken si të reja!

E dyta, privatet dhe ata biznesmen buzëdetit që siç mësoj me dhimbje mezi flasin me njeri-tjetrin si shqiptarë që jemi allasoj ndonjëherë, kanë arreduar dhe ndriçuar hotelet e resortit si asnjëherë më parë!

Kjo vlen edhe për restorantet dhe shtëpitë private të stolisura me shije dhe elegancë që më ka befasuar!

I kanë dhënë Ksamilit një look shumë të këndshëm ku turistët e huaj të shumtë, dukshëm ndihen shumë të relaksuar dhe të qetë dhe shijojnë gjithshka u ofrohet!

Ajo që shton optimizmin është vazhdimi pas sezonit turistik në muajt e dimrit, i punëve të tjera publike si pedonalja e Ksamilit apo rruga e re që mendohet se do kalojë në periferi të resortit, madje përflitet edhe me një urë mbi cepin e Liqenit për në Butrint!

Siguria publike është mbresëlënëse dhe prania e makinave të policisë shtetërore dhe asaj bashkiake në akset kryesore ka ndikimin e vet pozitivë në atmosferën e mikpritjes në këtë perlë të bregdetit shqiptar!

Dhe ma mbani shënim, ose rekord, këtë që po them, se Ksmaili do ketë një pamje dhe ofertë shumë ndjellëse pas 5 apo dhjetë vjetësh në Mesdhe, dhe do jetë zilia e pellgut mesdhetar, kur edhe qeveria të zgjidh çështjen e plazheve duke i bërë shumicën e tyre ose tërësisht publike ose duke caktuar një çmim të pranueshëm për bizneset që operojnë edhe hotelet e restorantet dhe bashkë me to edhe plazhet!

Por kjo do të ndodh pasi më parë ksamiljotët, por edhe financat dhe taksat e shtetit, të vuajnë këtë vit e vitin tjetër ose edhe dy vitet e ardhshme bumerangun e sjelljes së këtij vitit me çmendurinë e çmimeve stratosferike që këtë fund korriku kanë filluar të bien drejt normalitetit!

Ksamiljotët dhe arkat e shtetit do kalojnë kalvarin e shumë viteve më parë që përjetoi Durrësi a ndonjë resort tjetër më në veri, kur bëri të njëjtën gjë që bëri këtë vit Ksmaili apo Vlora!

Dhe këto kam gjerësinë shpirtërore, por edhe realizmin t’i shohë si sfida të rritjes dhe perfeksionit në një fushë që fqinjët kanë dekada që i kanë kaluar, edhe andaj kanë filluar të xhelozohen disi…!

Ben Manaj

Ksamil

SHKARKO APP