Imunitet për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, asnjë arrestim pa vendimin e Kushtetueses
Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë pritet të kenë një status të posaçëm procedural, nëse miratohet projektligji i ri për funksionimin e këtij institucioni. Sipas draftit të propozuar, ndaj drejtuesve të Bankës së Shqipërisë nuk mund të vendoset masë arresti dhe nuk mund t’u kufizohet liria pa autorizimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese.
Projektligji parashikon gjithashtu se për guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët nuk mund të kryhen kontrolle personale apo kontrolle në banesë pa një vendim autorizues nga Gjykata Kushtetuese. Përjashtim bëjnë vetëm situatat kur ata kapen në flagrancë ose kur ndiqen menjëherë pas kryerjes së një vepre penale. Në rastet e tjera, prokuroria do të jetë e detyruar t’i drejtohet më parë Gjykatës Kushtetuese për të marrë lejen për kryerjen e veprimeve procedurale, përfshirë arrestimin apo kontrollet. Vetëm pas dhënies së këtij autorizimi mund të vijojnë procedurat hetimore.
Drafti përcakton edhe afatin brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë kërkesën. Vendimi duhet të merret brenda 14 ditëve nga paraqitja e saj, ndërsa nëse ky afat përfundon pa një vendim, kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Ndryshimet e propozuara janë pjesë e projektligjit të ri për Bankën e Shqipërisë, i cili synon të përcaktojë më qartë mënyrën e funksionimit të institucionit dhe rregullat që lidhen me përgjegjësitë dhe statusin ligjor të drejtuesve të tij.
KOHA JONË SONDAZH

