Imuniteti për Ballukun, analisti Haxhiu: Po krijohet linçim publik para se të flasë Gjykata

Mazhoranca socialiste ka refuzuar kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut, duke hapur një debat të ri politik dhe juridik mbi mënyrën se si po trajtohet çështja. Analisti Baton Haxhiu shprehet kritik ndaj mënyrës se si është ndërtuar dhe prezantuar dosja ndaj Ballukut, duke theksuar se nuk është respektuar parimi i prezumimit të pafajësisë dhe se rasti ka marrë trajta të një linçimi publik. Sipas Haxhiut, volumi i madh i materialeve në dosje nuk e bën automatikisht më të fortë akuzën.

”Një prokurori që vendos 16 mijë faqe në tryezë, e konsideroj jo serioze. Do të doja të vendoste dy faqe dhe të vendosë argumentet e korrupsionit. Po kthehemi te një kronologji e ngjarjeve”,-tha në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Analisti theksoi se prokuroria ka pasur kohë dhe mundësi të plotë për të marrë dokumentacionin nga ministria përkatëse, pasi sipas tij dosja ka qëndruar për një periudhë të gjatë në organin e akuzës përpara ngritjes së aktakuzës. ”Prokuroria nuk ka qenë e penguar të marrë të gjithë dokumentacionin në ministri dhe i ka marrë. Dosja e kësaj ministrie ka qenë në prokurori një vit e gjysmë apo dy, para aktakuzës”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mënyrën se si, sipas tij, informacione nga dosja kanë dalë në media, duke krijuar një klimë presioni publik. ”Mosbesimi që është krijuar ka ndërtuar rrëfime që janë linçim publik, gati të patolerueshëm. Provat nga dosja u janë dhënë mediave të caktuara dhe më pas është krijuar një linçim publik”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në fund, Haxhiu theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë, por pa cenuar standardet e drejtësisë dhe pa e zëvendësuar procesin gjyqësor me dënime në opinionin publik. ”Jam i parimit që njeriu i korruptuar të dënohet. Por ndonjëherë duhet ta mbrojmë drejtësinë e pavarur nga drejtësia e nxituar. Nëse kjo drejtësi humb besimin, nuk e kthejmë dot më”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?