Incident pranë Gjykatës së Durrësit, amortizimi i ndërtesave mbetet problem shqetësues
Gjendja e amortizuar e fasadave të ndërtesave në Durrës vijon të përbëjë një rrezik serioz për qytetarët. Një incident i ri u regjistrua përgjatë rrugës “Aleksandër Goga”, pranë godinës së Gjykatës, ku një pjesë e suvasë u shkëput nga fasada e një objekti dhe ra në zonën e kalimit të këmbësorëve.
Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet vendosën një perimetër sigurie për të shmangur rrezikimin e qytetarëve dhe për të lejuar ndërhyrjen e shërbimeve përkatëse. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por rasti ka rikthyer në vëmendje problemin e ndërtesave të vjetra dhe mungesën e mirëmbajtjes së tyre.
Pak kohë më parë, një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në godinën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Durrësit, ku copa materiali u shkëputën dhe ranë në trotuar. Edhe sot, në atë zonë vijon të jetë i vendosur një rrethim i përkohshëm sigurie, ndërsa ende nuk janë marrë masa përfundimtare për eliminimin e rrezikut.
Në incidentin e fundit, forcat zjarrfikëse të Durrësit ndërhynë për të hequr pjesët e paqëndrueshme të fasadës dhe për të parandaluar rënie të tjera që mund të rrezikonin kalimtarët apo automjetet.
Problemi i fasadave të dëmtuara nuk kufizohet vetëm në këtë segment të qytetit. Në zona të ndryshme të Durrësit, përfshirë edhe rrugët kryesore, ndërtesa të shumta paraqesin shenja degradimi dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente. Banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa konkrete për rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e objekteve, me qëllim garantimin e sigurisë publike dhe shmangien e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.
KOHA JONË SONDAZH

