“Infermierë për Shqipërinë”, ministrja Albana Koçiu: Hapen aplikimet për profesionistët e shëndetësisë
Portali “Infermierë për Shqipërinë”, për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë, është një prej mekanizmave që garanton transparencë në punësimet në shëndetësi. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tregon për hapjen e aplikimeve për profesionistët e shëndetësisë. “Thirrje për profesionistët e shëndetësisë. Hapen aplikimet për infermierë, mami, teknikë imazherie, laborator, fizioterapi dhe logopedi në portalin “Infermierë për Shqipërinë”. Aplikoni tani”, shrkuan ministrja, ndërsa publikoi faqen ku mund të aplikohet për këto pozicione.
Koçiu informoi se afati i aplikimit është nga data 22 gusht deri në 5 shtator 2024. Platforma “Infermierë për Shqipërinë” ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.
Kjo platformë garanton një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor. Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit.