Infermierët, çereku mbetën në provimin e praktikës

 

Jo pak, por gati çereku i infermierëve të rinj që janë testuar për aftësitë e tyre praktike në ushtrimin e profesionit, nuk e kanë kaluar dot atë duke rezultuar mbetës.

Një rezultat i tillë mjaft dekurajues, konfirmohet nga të dhënat më të fundit të Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë (UISH), sipas të cilëve, nga 395 infermierë në total që dhanë provimin e aftësimit praktik, 86 prej tyre rezultojnë mbetës. Ndërsa nga 50 fizioterapistë, rezultojnë se vetëm 2 kanë ngelur në provimin e praktikës.

Konkretisht, Urdhri i Infermierit ka publikuar në faqen e tij zyrtare listën me kodet e atyre që kanë rezultuar mbetës në provimet e aftësimit praktik për infermierët, logopedët, mamitë, fizioterapistët, teknikët e laboratorit dhe imazheristët që u zhvilluan mes datave 12-­15 tetor 2015. Ndërsa rezulton nga ana tjetër se të gjithë logopedët, mamitë, teknikët e laboratorit, imazheristët e kanë kaluar me sukses provimin, duke marrë më shumë se 50% të pikëve të nevojshme.

Por nuk ka ndodhur kështu me infermierët, ku nga 395 kandidatë që dhanë provimin 86 rezultojnë mbetës. Ndërsa nga 50 fizioterapistë vetëm 2 kanë ngelur në provimin e praktikës. Dhe përveç publikimit të listës me kodin e kartës së prakitikantëve mbetës, UISH-ja njofton se këta duhet ta përsërisin praktikën profesionale me mbikëqyrje si dhe provimin e Vlerësimit të Aftësimit Praktik. Nga ana tjetër, të gjithë profesionistët që e kanë kaluar me sukses këtë provim, do të japin më pas Provimin e Shtetit dhe pas kësaj fitojnë edhe të drejtën për t'u pajisur me licencë. Shuma që duhet të paguajnë për licencimin është 67.000 mijë lekë.

Një muaj pas provimit të shtetit Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon listën e fituesve, në vijim UISH-ja fillon përgatitjen e licencave për fituesit. Provimi i Vlerësimit dhe Aftësimit Praktik u vendos si detyrim nga Urdhri i Infermierëve pasi ngelej problematik numri madh i infermierëve mbetës në Provimin e Shtetit. Dhe kështu që nga viti 2012 pas praktikës profesionale këto bluza të bardha nuk hynin direkt në Provimin e Shtetit, por duhej të kalonin një hallkë tjetër të vlerësimit të njohurive të tyre, atë të Vlerësimit të Aftësimit Praktik.

SHKARKO APP