Iniciativë e re për zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjeve punëmarrës-biznes, pa gjykata
Në vitin 2018 në gjykatat shqiptare janë paraqitur 3060 padi me objekt marrëdhëniet e punës dhe vetëm 4 prej tyre i janë referuar Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO).
Kjo organizatë në bashkëpunim me qeverinë suedeze prezantuan një iniciatëve të re për zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve në punë pa arritur në dyert e gjykatave.
Drejtoresha e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim në Shqipëri, Petra Brucher u shpreh se në vendin tonë kanë ndikim dy faktorë në moszgjidhjen e konflikteve për punëtorët më pak të kualifikuar.
Petra Brucher: Veçanërisht kjo kategori punëmarrësish ka më pak mundësi të zgjidhjë mosmarrëveshjet e punës përmes sistemit gjyqësor, si pasojë e kostos por edhe njohurive të pakta ligjore që ata kanë.
Ministrja e Financave, Anila Denaj, tha se përmirësimi i sistemit të zgjidhjes jashtë-gjyqësore ka disa përparësi.
Anila Denaj: Është e rëndësishme që dëgjohen zërat e të dy palëve dhe një palë e tretë, qoftë një institucion si zyrat e punës apo drejtoria që ka përgjegjësinë për të ndjekur këto procese, është e rëndësishme për të dëgjuar dhe për të vendosur nëse ka një shkelje të zbatueshmërisë së ligjit, të drejtës së punonjësit, apo ka një kërkesë përtej asaj që punëdhënësi mundet të japë. Pra, bën një ekuilibër mes të dy palëve për të ecur përtej, pa hyrë në konflikte gjyqësore. Ky hap nuk nënkupton që konflikti të mos shkojë më tej në procese gjyqësore, por është një hap që ndihmon dhe lehtëson palët për t’i zgjidhur çështjet e mosmarrëveshjeve pa kosto shtesë dhe pa konflikte që mund të kalonin dhe një qasje më radikale se sa një marrëdhënie punonjës-punëmarrës.
Ky projekt me kohëzgjatje 36 muaj ka si qëllim qasjen e drejtë, të shpejtë dhe gjithpërfshirëse për të gjitha grupet e cënueshme të punëmarrësve.