INSTAT: Përmbytjet përgjysmuan eksportet e zarzavateve në janar
Eksportet shqiptare të zarzavateve kanë nisur vitin 2026 me një rënie të fortë, duke reflektuar ndikimin e përmbytjeve që prekën zonat kryesore bujqësore dhe serat e specializuara për tregjet e jashtme në fillim të vitit.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për muajin janar, vendi eksportoi 5,367 ton zarzavate, nga 9,936 ton në janar 2025, me një tkurrje prej rreth 46% në baza vjetore.
Rënia është edhe më domethënëse nëse merret parasysh se janari i vitit të kaluar shënoi kulmin e dekadës për këtë muaj. Viti 2025 u karakterizua nga zgjerimi i prodhimit në sera dhe kërkesa e lartë nga tregjet europiane, duke e çuar eksportin në nivele rekord. Vjet pati një interes të lartë nga Europa për prodhime të stinës si lakra dhe karota, çka nxiti mbjellje të reja në fushë. Teksa ky trend vijoi edhe këtë sezon, përmbytjet e janarit dëmtuan qindra hektarë të mbjella në fushë.
Megjithatë, edhe pas kësaj goditjeje, niveli i eksporteve mbetet më i lartë krahasuar me shumicën e viteve para pandemisë, kur eksportet e janarit luhateshin zakonisht midis 1.8 dhe 3.8 mijë tonëve. Rritja e viteve të fundit kishte krijuar një bazë më të fortë prodhimi, por fillimi i vitit 2026 tregon se sektori mbetet shumë i ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike.
Megjithatë, përmbytjet e fillimvitit duket se kanë goditur drejtpërdrejt prodhimin dhe logjistikën e eksportit. Zonat kryesore të prodhimit në ultësirën perëndimore u përballën me dëmtime të kulturave, ndërsa vështirësitë në transport dhe furnizim kanë kufizuar dërgesat drejt tregjeve europiane.
Pas disa vitesh rritjeje të qëndrueshme dhe investimesh në sera, përmbytjet treguan se infrastruktura mbrojtëse dhe menaxhimi i riskut klimatik po bëhen faktorë kritikë për stabilitetin e eksporteve.
Operatorët presin rikuperim gradual të eksporteve në vijim, por fillimi i vitit ka rritur pasiguritë për eksportuesit e zarzavateve. Rritja e eksporteve bujqësore si në sasi dhe në vlerë dhe në anën tjetër rënia e prodhimit po tregon se sektori po shkon drejt konsolidimit.
Bujqësia shqiptare ka hyrë në një fazë konsolidimi me rënie në total, por me një orientim më të fortë nga eksporti. Fermat e vogla dhe mesme në zonat e rurale të vendit po falimentojnë nga tkurrja dhe plakja e popullsisë, teksa po rriten dhe po zgjerohen fermat e mëdha blegtorale dhe ato në sera në zonat me bujqësi intensive si Fieri, Lushnja etj. me destinacion eksportin./ Monitor
KOHA JONË SONDAZH

