Inteligjenca artificiale në shkolla, rregullat për përdorimin dhe parandalimin e plagjiaturës
Inteligjenca artificiale do të mund të përdoret si një mjet mbështetës në procesin mësimor, sipas udhëzuesit të hartuar nga ministria e Arsimit dhe të publikuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar.
Dokumenti përcakton mënyrat se si mësuesit dhe nxënësit mund të përdorin mjete të inteligjencës artificiale, përfshirë platforma si ChatGPT, Gemini dhe mjete për verifikimin e informacionit, me synimin që teknologjia të ndihmojë zhvillimin e aftësive njerëzore dhe jo t’i zëvendësojë ato.
Sipas udhëzuesit, mësuesit mund të përdorin IA për përgatitjen e materialeve mësimore, krijimin e ushtrimeve, pyetjeve, kuizeve dhe testeve, si dhe për hartimin e materialeve të përshtatura sipas niveleve të ndryshme të nxënësve.
Përdorimi i saj mund të shtrihet në një gamë të gjerë lëndësh, nga gjuha shqipe dhe gjuhët e huaja, te matematika, artet dhe edukimi fizik. Inteligjenca artificiale mund të shërbejë gjithashtu për përkthimin e teksteve, korrigjimin gjuhësor dhe për planifikimin e orëve mësimore.
Një tjetër fushë e parashikuar është vlerësimi formues. Mësuesit mund të marrin ndihmë nga IA për hartimin e kritereve të vlerësimit, rubrikave, pyetjeve të kontrollit, kuizeve apo komenteve orientuese për përmirësimin e nxënësve.
Megjithatë, udhëzuesi nënvizon se vendimmarrja përfundimtare i takon mësuesit, i cili duhet të verifikojë përmbajtjen e gjeneruar nga IA dhe të sigurohet se vlerësimi është i saktë dhe pasqyron realisht përparimin e nxënësit.
Dokumenti orienton edhe nxënësit drejt përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, për kërkimin e informacionit, realizimin e projekteve dhe zhvillimin e kreativitetit.
Në fokus janë edhe rreziqet që lidhen me përdorimin e këtyre teknologjive, si dezinformimi, cenimi i privatësisë, varësia digjitale dhe përdorimi joetik i përmbajtjeve të gjeneruara nga IA.
Sipas dokumentit, pavarësisht mundësive që ofron Inteligjenca Artificiale (IA) në procesin e mësimdhënies dhe të nxënit, përdorimi i saj shoqërohet edhe me kufizime dhe sfida, të cilat duhet të njihen dhe të merren në konsideratë nga mësuesit, nxënësit, drejtuesit e institucioneve arsimore dhe aktorët e tjerë të përfshirë në procesin arsimor.
“IA-ja përbën një mjet të vlefshëm mbështetës, por ajo nuk është e pagabueshme, nuk arrin gjithmonë të kuptojë kontekstin specifik të klasës dhe nuk mund të zëvendësojë gjykimin profesional të mësuesit”, thuhet në dokument.
Udhëzuesi i kushton rëndësi të veçantë edhe parandalimit të plagjiaturës. Nxënësit mund ta përdorin inteligjencën artificiale për të kuptuar një koncept, për të marrë sugjerime apo për të përmirësuar një punim, por përgjigjet e gjeneruara nuk duhet të kopjohen drejtpërdrejt si punë e tyre.
Në këtë kuadër, mësuesit orientohen t’u kërkojnë nxënësve të shpjegojnë procesin e punës dhe mënyrën se si kanë arritur te produkti përfundimtar, duke vendosur theksin te të menduarit kritik, krijimtaria dhe integriteti akademik.
Udhëzuesi synon kështu të krijojë një qasje të kontrolluar dhe të përgjegjshme ndaj inteligjencës artificiale në arsimin parauniversitar, duke e vendosur teknologjinë në funksion të procesit të të nxënit dhe të zhvillimit të aftësive të nxënësve.
/e.i/a.f/
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

