Intervista/Selami zbardh për Ora News çfarë ndodhi në mbledhjen e grupit të PD-së
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Selami tregon për Ora News se çfarë ndodhi pasditen e sotme në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike pas arritjes së konsensusit për reformën në drejtësi.
Selami shprehet se në mënyrë të natyrshme kishte një ndjenjë krenarie, ndërsa falënderoi kryetarin Basha dhe opozitën për kontributin e dhënë. Selami tha se ky është një sukses i përbashkët i klasës politike, duke falënderuar edhe kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Meta.
Intervista e plotë:
–Çfarë ndodhi në mbledhjen e grupit dhe cili ishte qëndrimi juaj aty?
Selami: Ishte një mbledhje ku u raportua siç thatë me të drejtë zt.Basha, lajmi i gëzuar për të gjithë shqiptarët, që Partia Demokratike dhe opozita dha konsensus për këtë reformë shumë të rëndësishme në drejtësi në bazë të rekomandimit tashmë të njohur si drafti hibrid i diplomates, Nuland. Aty, në mënyrë të natyrshme kishte një krenari të përbashkët të ndarë prej nesh, për kontributin që ka dhënë që fillimet e saj opozita, që Shqipëria përfundimisht të ketë një draft bashkëkohor, që do t’i japi jo vetëm Shqipërisë, por që do t’i hapi rrugën për integrimin e mëtejshëm kaq të dëshiruar të shqiptarëve për në Bashkimin Evropian.
-Zt. Selami çfarë do të thotë kjo reformë për shqiptarët e cila pritet të miratohet nesër në Kuvendin e Shqipërisë dhe për ju gjithashtu?
Selami: Është shumë e rëndësishme, do të thotë drejtësi, e cila ka munguar. Pa të cilën, unë mendoj që gjithkush është i bindur, çdo qytetar e ndjen në kurrizin e tij. Nuk ka gjë më të rëndë se sa padrejtësia, nuk ka paqe sociale pa drejtësi dhe nuk ka drejtësi pa pasur institucione të sakta dhe ligje të sakta.
Fatkeqësisht, Shqipërisë i ka munguar kjo gjë. Kështu që fal ndihmës së komunitetit ndërkombëtar, që unë në mënyrë të veçantë dua t’i falënderoj, me përfaqësuesit e tyre të nderuar, si ambasadorin Lu ashtu edhe ambasadoren Vlahutin, por edhe përfaqësuesve të tjerë.
Fal edhe punës së madhe që ka bërë shtypi, fal edhe punës së mirë që ka bërë opozita, kryetari Basha dhe të gjithë të tjerët. Po kështu, në këtë pikë, përderisa është një arritje e përbashkët, jashtë falënderimit nuk mund të lë edhe kryeministrin Rama, po kështu edhe kryetarin e Parlamentit, zt.Meta. Sukseset i kemi të përbashkëta, do të kemi drejtësi të mirë, ky është një lajm shumë i gëzuar për të gjithë ne. Dhe unë mendoj që të gjithë kemi arsye për të qenë krenar.
-Zt. Selami, ju njiheni në fakt si zëri kritik brenda Partisë Demokratike. Ju e dëshmuat në fakt duke deklaruar votën pro reformës në drejtësi pavarësisht qëndrimit që do të mbante Partia Demokratike dhe nuk keni qenë vetëm në fakt. Ka qenë edhe deputetja Majlinda Bregu dhe deputeti Patozi. Sa realisht ka ndikuar zëri juaj në vendimin pro reformës ose në arritjen e shpejtë të marrëveshjes brenda afateve të reformës në drejtësi.
Selami: Unë nuk dua të marrë më shumë kredite se sa më takojnë. Nga natyra jam modest. Unë mendoj se qëndrimi pro reformë i një pjese që përmende, pra i shumë të tjerëve, i një mazhorance të heshtur, unë mendoj që ishte shumë i rëndësishëm që Partia Demokratike dhe kryetari Basha të merrte këtë vendim të drejtë për të dhënë konsensus, i cili jo vetëm është në përputhje me shpresat dhe ëndrrat e të gjithë demokratëve, të cilët i takoj për ditë, dhe i falënderoj për mbështetjen e tyre, por edhe për Shqipërinë dhe ecurinë evropiane të Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

