Investigimi i RAI3, Rama: Hodhën baltë të na pikturonin si trafikantë
Pas transmetimit të investigimit të emisionit ‘Report’ në RAI3, ka ardhur reagimi nga kryeministri Edi Rama. Ai tha se ky është një sulm mbi emrin dhe flamurin e shqiptarëve.
Rama shtoi se duke marrë shkas nga gojët e politikanëve shqiptarë u hodh baltë mbi Shqipërinë.
“Po me kë e kishin ata? Ata e kishin me qeverinë e tyre dhe deri këtu janë në të drejtën e tyre të shenjtë. Por ama kur pastaj fusin në valle edhe qeverinë tonë, duke marrë autobote me llum nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës, për të thënë se marrëveshja e qeverisë së Italisë me qeverinë e Shqipërisë është jo vetëm e keqe, po edhe është bërë me një narkoshtet, me një qeveri ku shumë anëtarë të saj janë dënuar si të lidhur me mafian, ata shkelin jo vetëm mbi të vërtetën, po edhe mbi nderin e mbi dinjitetin tonë shtetëror.
Në bashkëpunim me një grusht shqiptarësh pa atdhe, pa fe, pa din e as iman, që jo nuk e bindin dot popullin këtu megjithëse shajnë e shpifin ditë-natë prej vitesh të tëra, po vetëm humbasin e diskreditohen përditë në sytë e tij, RAI 3 dha dy shfaqje të neveritshme të një gjasme gazetarie investigative. U përdorën si heronj të shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuari nga Vetingu në sistemin e drejtësisë. U mor si opinionist një veteran i luftës me gjysëm të vërteta kundër meje e qeverisë sonë e ku di unë kush tjetër, ndërkohë që u trajtuan si personazhe negativë të shfaqjes, personalitete të politikës e të kulturës italiane apo lloj-lloj individësh të njohur e të panjohur në Shqipëri, duke hedhur baltë akuzash e dyshimesh pa asnjë lloj fakti.
Por në fund shfaqja që dukej si një çorbë tik-toku, qep, shqep e bashko fjalë e imazhe sipas skenarit, nuk tha asgjë të re përveç jashtënxjerrjeve të ujrave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike që i shërbejnë asaj llumpolitike. Asgjë e pakontestueshme logjikisht, e lëre pastaj të vlefshme juridikisht, nuk nxorri pseudo investigimi italo-shqiptar, po vetëm mbarsi malin për të pjellë një mi, duke u justifikuar në fund se prova s’ka po “epo ka akuza”!