Investimet e huaja drejt një faze të re, mekanizmi i ri synon transparencë dhe besim
Shqipëria do të zbatojë një mekanizëm të ri për shqyrtimin e investimeve të huaja në sektorët strategjikë, me synimin për të rritur sigurinë ekonomike dhe për të garantuar një mjedis më transparent për investitorët. Nisma u prezantua nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë aktivitetit “Albania’s Foreign Direct Investment Screening Framework”, organizuar nga AmCham Albania në bashkëpunim me Center for International Private Enterprise.
Sipas Ibrahimajt, mekanizmi i ri është rezultat i një procesi pune që ka zgjatur më shumë se dy vjet dhe përbën një nga hapat e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Ajo theksoi se instrumenti synon të sigurojë kontroll më të mirë të investimeve në sektorë me rëndësi strategjike, pa cenuar klimën e hapur të biznesit në vend. Autoritetet vlerësojnë se kuadri i ri do të sjellë më shumë transparencë, parashikueshmëri dhe siguri për investitorët e huaj, duke e afruar Shqipërinë me standardet europiane në këtë fushë.
“Prej më shumë se dy vitesh kemi punuar për ngritjen e këtij mekanizmi, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e instrumenteve shtetërore në funksion të sigurisë ekonomike, transparencës dhe mbrojtjes së interesave strategjike të vendit”, u shpreh ajo. Ministrja theksoi se kuadri i ri nuk synon të vendosë kufizime për investitorët, por të krijojë më shumë siguri dhe parashikueshmëri në treg. “Ky mekanizëm nuk krijon pengesa për biznesin dhe as procedura të panevojshme administrative. Përkundrazi, ai garanton më shumë siguri, më shumë transparencë dhe një mjedis më të besueshëm për investitorët seriozë që zgjedhin Shqipërinë për të investuar”, tha Ibrahimaj.
Gjatë aktivitetit, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, e cilësoi kuadrin shqiptar për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte si një zhvillim të rëndësishëm, duke theksuar se ai nuk është thjesht një procedurë administrative, por një sinjal për investitorët se Shqipëria mbetet e hapur ndaj investimeve duke mbrojtur njëkohësisht interesin kombëtar dhe standardet ndërkombëtare.
VanHorn vuri në dukje se investitorët, përfshirë ata amerikanë, po e ndjekin me vëmendje këtë proces dhe se kompanitë amerikane janë të pranishme në sektorë si energjia, ndërtimi dhe teknologjia, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të investuar në Shqipëri. Sipas saj, investitorët kërkojnë rregulla të qarta, kushte të barabarta konkurrimi dhe mbrojtje të sektorëve strategjikë. Sipas saj, investitorët kërkojnë rregulla të qarta, kushte të barabarta konkurrimi dhe mbrojtje të sektorëve strategjikë, ndërsa theksoi se suksesi i mekanizmit do të varet nga mënyra se si ai do të zbatohet në praktikë.
Duke folur për klimën ekonomike në vend, Ibrahimaj vlerësoi rritjen e investimeve të huaja direkte, të cilat sipas saj gjatë vitit të kaluar kanë kaluar nivelin e 1.6 miliardë eurove. “Investimet e huaja direkte janë një tregues i rëndësishëm i besimit që investitorët kanë ndaj ekonomisë sonë. Ato nuk kontribuojnë vetëm në rritjen ekonomike, por edhe në transferimin e standardeve më të mira të menaxhimit, teknologjisë dhe zhvillimit të biznesit. Për këtë arsye, është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë të mbetet një ekonomi e hapur dhe konkurruese, ndërsa njëkohësisht forcon kapacitetet për mbrojtjen e interesave të saj strategjike”, deklaroi ajo.
Në fund, ministrja tha se bashkëpunimi me komunitetin e biznesit do të vijojë edhe gjatë fazës së zbatimit të mekanizmit. “Objektivi ynë mbetet i pandryshuar: të ndërtojmë institucione më të forta, të rrisim konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe të garantojmë një klimë biznesi gjithnjë e më transparente dhe tërheqëse për investimet cilësore”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
KOHA JONË SONDAZH

