Investimet në fshat kthejnë traditën në zhvillim, Denaj sjell shembullin e bujtinës në Tropojë
Zonat malore të Shqipërisë po përfitojnë gjithnjë e më shumë nga politikat qeveritare për mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin rural. Këto politika po tregojnë efekte konkrete në terren, duke krijuar mundësi të reja ekonomike për banorët vendas dhe duke nxitur një model të qëndrueshëm të turizmit dhe agrobiznesit.
Një shembull i suksesshëm është bujtina “Plis” në Tropojë, e ndërtuar sipas standardeve moderne, por me respekt për traditën e shtëpive karakteristike alpine. Bujtina ofron një përvojë autentike shqiptare në zemër të natyrës së egër dhe të paprekur, me ushqim bio të prodhuar nga vetë zona, duke u kthyer në një atraksion të rëndësishëm për turistët vendas dhe të huaj.
Ky lloj investimi jo vetëm që forcon turizmin lokal, por kontribuon ndjeshëm edhe në zhvillimin e ekonomisë rurale. Bujtina ka krijuar vende të reja pune dhe ka ndihmuar në mbajtjen e të rinjve në zonat e tyre, duke i dhënë jetë komuniteteve të largëta.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, theksoi se përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, fermerët dhe sipërmarrësit ruralë kanë mundësi të përfitojnë nga një mbështetje e konsiderueshme financiare. Skema ofron 50% grant dhe kredi të butë me vetëm 2% interes, si dhe garanci sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit, duke lehtësuar ndjeshëm barrën financiare për aplikantët.
Për zonat malore, mbështetja është akoma më e thelluar përmes Paketës së Maleve, një nismë që synon të nxisë qëndrueshmërinë e jetesës dhe zhvillimin ekonomik në këto zona të vështira, por me potencial të madh.
Politikat e tilla po japin fryte të dukshme, duke e bërë bujqësinë dhe turizmin rural shtylla kyçe për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë malore.
KOHA JONË SONDAZH

