Investimet në infrastrukturë, Balla: Cërriku është shndërruar në kantier ndërtimi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Cërrikut, Andis Salla dhe deputetin Luan Duzha inspektuan punimet që po kryhen për rikualifikimin urban në lagjen nr.2 në Cërrik. Në fjalën e tij, Balla tha se Bashkia e Cërrikut i është kthyer me intensitet punëve publike dhe i gjithë qyteti tashmë është shndërruar në një kantier ndërtimi. Sipas Ballës, pas investimeve në qendër të qytetit, në kuadër të projektit të madh të Rilindjes Urbane, tashmë puna është fokusuar në lagjet e brendshme të qytetit.

“Tashmë Cërriku është kthyer në një kantier të mirëfilltë punësh publike. Këto zona janë pjesë e qytetit, por kanë qenë tërësisht të harruara. Bashkë me kryetarin e bashkisë dhe deputetin bëmë inspektimin e një prej fazave fillestare të një procesi rikualifikimi urban të gjithë këtyre lagjeve, që janë lagje të vjetra të qytetit, por ku nuk ishte vënë dorë më parë. Bashkia e Cerrikut do të vijojë aplikimin edhe pranë FZHR, për të bërë të mundur që brenda dy viteve të përmbyllet rikualifikimi i të gjitha lagjeve të Cërrikut”.

Kryetari i Bashkisë, Andis Salla në fjalën e tij theksoi se projekti i rikualifikimit të lagjes nr. 2 përfshin të gjitha parametrat e kërkuara. “Bashkia e Cërriku po ashtu është duke ndërhyrë me fondet e saj në një riparim të pjesshëm të gjimnazit “Tomorr Sinani”. Punimet janë fokusuar në fasadën e shkollës, ambientet e jashtme dhe ato sportive”, u shpreh Salla. Ndërhyrja në lagjen nr. 2 në qytetin e Cërrikut konsiston në asfaltimin e rrugëve të brendshme të kësaj lagjeje. Gjithashtu investimi parashikon edhe gjelbërim, ndriçim si dhe vende parkimi.

SHKARKO APP