Inxhinieri i ndërtimit tregon se kush janë ndërtesat më të rrezikuara nga tërmeti në Shqipëri
Tërmetet shkatërruese në kufirin turko-sirian, që i kanë marrë jetën deri më sot mbi 41 mijë personave dhe ka rrënuar me mijëra ndërtesa, rikthen edhe njëherë diskutimet për mënyrën sesi ndërtohet. Inxhinieri i ndërtimit, Artur Roshi ka folur në lidhje me ndërtesat më të rrezikuara nga ndonjë tërmet i mundshëm në vendin tonë. Sipas Roshit duhet bërë një ekzaminim i plotë i ndërtimeve në Shqipëri, duke nisur që nga materialet e ndërtimit të përdorura, kushtet e projektimit e deri te gjendja e sotme.
Kush janë ndërtesat më të rrezikuara në Shqipëri?
Sipas meje duhet bërë një ekzaminim i plotë, që nga materialet e ndërtimit të përdorura, kushtet e projektimit dhe gjendja e sotme. Të tre këto komponentë bëjnë specialistët të arrijnë në konkluzione se cila nga këto ndërtesa ka nevojë për emergjencë për të ndërhyrë në to dhe se cilat mund të presin. Qeveritë këtu punojnë me aksione, u bënë disa vlerësime në fillim, dhe më pas kemi parë në mënyrë selektive dhe ka hije dyshimi. Ka shumë hije dyshimi, politika futet sepse ka ankesa nga qytetarët se ka abuzime.
Sa janë zbatuar elementët kryesorë të deklaruar nga qeveria pas tërmetit të 2019-s?
Unë nuk mund të them që nuk është bërë asgjë, por është bërë fare pak dhe në të gjitha ato që pretendon kryeministri, le ta marrim nga ligji, që sipas meje ishte i paplotë. Ajo që konceptoj unë është që duhej një ligj që të kishte një efikasitet teknik të vazhdueshëm. Duhet të ishte plani i dytë që kishte të bënte me krijimin e një tregu të qëndrueshëm të ekspertizës, si një institucion inkluziv, pra që të ketë një pjesëmarrje të ekspertizës, të jetë i kapshëm, i prekshëm nga të gjithë profesionistët, që plotësojnë kriteret teknike me vjetërsi mbi 15 vjet. Tjetër gjë është që duhen krijuar burime të financimit që duhet të gjeneronin në mënyrë permanente nga tregu dhe jo nga artifica artificiale të injektuara si të thuash në buxhetin e një X agjencie shtetërore. Unë mendoj që nuk duhet të kemi thjesht një auditim, por zgjidhjen e riaftësimit të konstruksionit të objekteve në tërësi.
Pas tërmetit të 2019-s a janë marrë masat që të evidentohen se cilat janë ndërtesat që kanë rrezikshmëri më të lartë në rast se do të kemi një tjetër fatkeqësi të tillë?
Janë bërë vlerësime për ata të prekurit drejtpërdrejt. Qeveria duhet të parandalojë, njëlloj si Turqia, që tha që ne do bëjmë të gjitha ndërtesat nga e para, por a mund ta bënte Turqia më parë këtë gjë, para se ato të shembeshin? E njëjta gjë, të mos ndodhemi në një situatë tjetër tërmeti, sepse jemi të papërgatitur. Sepse ne ende nuk kemi mbyllur pjesën e parë, pasi kemi ende njerëz që nuk janë akomoduar në banesat e tyre. /A2cnn/