Irani: Do të godasim një ambasadë izraelite në një vend armik!

Një këshilltar i lartë ushtarak iranian e ka paralajmëruar Izraelin të dielën se asnjëra prej ambasadave të tij nuk janë më të sigurta, pas sulmit të javës së kaluar në Damask për të cilin u fajësua Izraeli.

Tensionet rajonale janë rritur duke kërcënuar zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – hyri në muajin e shtatë të dielën.

Komentet e gjeneralit Rahim Safavi, i cili është këshilltar ushtarak i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, lënë të kuptohet se Irani do t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë sulmit ndaj Ambasadës iraniane në Siri më 1 prill, ku u vranë dy gjeneralë iranianë.

Izrael – sipas praktikës së vet të zakonshme – nuk e ka komentuar sulmin në Damask.

“Asnjëra prej atyre ambasadave të regjimit [Izraelit] nuk janë më të sigurta”, tha Safavi, raportoi agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim.

Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie në Teheran për gjeneralët e vrarë në sulmin që e bëri rrafsh me tokë ndërtesën e konsullatës iraniane, shkruan REL.

Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli është i përgatitur për çfarëdo përgjigje.

“Kushdo që na dëmton, apo synon të na dëmtojë, do ta dëmtojë veten”, tha ai gjatë një takimi të kabinetit qeveritar izraelit.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke i shikuar arkivolet e pjesëtarëve të IRGC-së, të cilët u vranë nga një sulm ajror në Damask, gjatë ceremonisë së varrimit të tyre në Teheran, 4 prill.

CBS News raportoi më 5 prill se inteligjenca amerikane ka lënë të kuptohet se Teherani është duke planifikuar një sulm që do të përfshijë dronë Shahed dhe raketa lundruese.

Nuk dihet caku e as koha e sulmit të mundshëm, por goditja e një ndërtese diplomatike izraelite do të ishte përgjigje proporcionale, thuhet në raport.

Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar të shtunën Iranin të mos i sulmojë trupat dhe bazat amerikane në Lindjen e Mesme.

Të gjitha ambasadat e Izraelit kanë kaluar në gatishmeri dhe shtetet kanë rritur masat e sigurisë përreth tyre. Por shërbimet intelegjente dyshojnë se Irani mund të kryejë një goditje ndaj ambasadës izraelite që ndodhet edhe në një shtet armik të tyre.

Shumë shtete janë armike për Iranin.

SHKARKO APP