FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Irani kërcënon të mbyllë sërish Ngushticën e Hormuzit, SHBA premton liri të lundrimit

Ushtria iraniane deklaroi se do të mbyllë sërish Ngushticën e Hormuzit për të gjithë trafikun detar, duke akuzuar Izraelin për shkelje të armëpushimit me Hezbollahun në Liban, pjesë e një marrëveshjeje kornizë të arritur së fundmi mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një deklaratë të publikuar nga mediet iraniane, Teherani tha se vendimi lidhet me praninë e vazhdueshme izraelite në jug të Libanit dhe e cilësoi mbylljen e rrugës strategjike detare si “hapin e parë” ndaj asaj që e quajti “shkelje të besimit nga armiku”.

Autoritetet iraniane paralajmëruan se mund të ndërmarrin masa të tjera nëse, sipas tyre, agresioni vazhdon.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga ana tjetër, ushtria amerikane njoftoi se do të vazhdojë të garantojë lirinë e lundrimit në zonë. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se gjatë së shtunës 55 anije, që transportonin rreth 17 milionë fuçi naftë dhe mallra të tjera, kaluan përmes ngushticës, ndërsa forcat amerikane vazhdojnë operacionet për të siguruar zbatimin e marrëveshjes.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance udhëtoi drejt Zvicrës për bisedime me Iranin mbi programin bërthamor dhe armëpushimin në Liban. Ai shprehu shpresën për përparim në negociata, ndërsa konfirmoi se përfaqësues amerikanë, përfshirë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, tashmë ndodhen në Zvicër duke diskutuar aspektet teknike të marrëveshjes.

Situata në Liban mbetet e tensionuar. Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer akuza për shkelje të armëpushimit. Ushtria izraelite pretendon se milicia shiite lëshoi mbi 50 predha ndaj forcave të saj në jug të Libanit, ndërsa sulmet ajrore izraelite kanë shkaktuar të paktën 35 viktima vetëm gjatë së shtunës, sipas raportimeve lokale. Pesë ushtarë izraelitë janë vrarë në incidente të ndara gjatë dy ditëve të fundit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të vazhdojë të mbajë një “zonë sigurie” në jug të Libanit për aq kohë sa ta kërkojnë nevojat e sigurisë së vendit. Qeveria libaneze e konsideron praninë izraelite në atë territor si pushtim të paligjshëm sipas të drejtës ndërkombëtare.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi gjithashtu se, nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare paqeje brenda 60 ditëve, SHBA-ja mund të vendosë tarifa tranziti në Ngushticën e Hormuzit. Rreth 20% e tregtisë globale të energjisë kalon përmes kësaj rruge strategjike, ndaj çdo ndërprerje e trafikut atje mund të ketë pasoja të mëdha për tregjet ndërkombëtare të naftës dhe zinxhirët globalë të furnizimit.

ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?