Ish-ambasadori Mal Berisha: 26 veta që kryesojnë shërbimin tonë diplomatik, kundër ligjit

Ish-ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe anëtari i këshillit të ambasadorëve, Mal Berisha ka folur në emisionin “Absolut 4” në A2 për historinë e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për Berishën, sot në shërbim diplomatik ka njerëz që kanë poste shumë të larta dhe që kanë qenë anëtarë të Kolegjiumit të Ministrisë së Jashtme ku bënin raporte kundër Bejkerit. Po ashtu sipas tij, 26 persona që kryesojnë përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë janë aty kundër ligjit, pasi ose kanë përfunduar mandatin ose kanë kaluar moshën.

“Sot në shërbimin diplomatik ka njerëz që kanë poste shumë të larta, nga ata që kanë qenë anëtarë të Kolegjiumit të Ministrisë së Jashtme kur bënin raporte kundër Bejkerit. Ata njerëz sot drejtojnë, edhe pse janë në pension. Janë kundër ligjit sepse ligji përcakton se nuk mund të jesh ambasador më shumë se tre vjet dhe përtej moshës. Ndërsa sot, 26 veta që kryesojnë shërbimin tonë diplomatik janë përtej mandatit, përtej moshës. Kjo tregon se nuk kemi mësuar shumë nga ajo që na mësojnë Shtetet e Bashkuara.”, shprehet Berisha.

Po ashtu, ai deklaron se vendi ka shënuar regres në disa fusha.

“A kemi ne zgjedhje të lira dhe të ndershme sot? Nuk kemi. A kemi ne vërtetë atë që thonë disa nga diplomatët amerikanë që Shqipëria ka bërë progres të madh në fushën e medias, kur shohim që në çdo vlerësim nga Departamenti i Shtetit dhe organizatat më të rëndësishme dhe autoritare në botë shënojnë regres dhe jo progres. A kemi liri të sipërmarrjes kur të gjithë flasin për nje ekonomi informale dhe autoritetet më të mëdha që i vënë stampën dhe notën një shteti se në çfarë gjendje është, tregojnë regres.”

SHKARKO APP