Ish-deputeti Bogdani: Rama po u ofron të rinjëve parcelat e kanabisit, në vend që t’u japë mundësi punësimi
”Kanabizimi në vend do të jetë shumë i vështirë për t’u kontrolluar”,-thotë ish-deputeti i PD-së, Gert Bogdani, i cili komenton vendimin e qeverisë për të legalizuar kanabisin mjekësor. Për të kjo lëvizje nga ana e qeverisë nuk do të jetë ndihmë për ekonominë, ndërsa shtoi legalizimi i kanabisit do të çojë Shqipërinë drejt rrënimit. Bogdani thekson edhe se qeveria po u ofron të rinjve parcelat e kanabisit, në vend që t’u japë mundësi punësimi.
”Do të jetë shumë e vështirë për t’u kontrolluar. Kjo nuk është një ide e re e kësaj qeverie, nuk është një ide që ka dalë në Këshilli Kombëtar. Kjo nuk do të jetë e mirë për ekonominë.
Ajo që më vjen keq është se kjo qeveri në vend që të japë mundësi punësimi të rinjve shqiptarë, modeli që iu ofron është modeli i punës në parcelat e kanabisit apo të largohen dhe të punojnë në shtëpitë e barit në Angli.
Kjo është një damkë shumë e madhe për Shqipërinë. Është diçka shumë e parakohshme dhe e pa menduar mirë. Do të sjellë rritjen e përdorimit të drogërave te të rinjtë shqiptarë. Legalizimi i kanabisit e çon Shqipërinë drejt rrënimit”.