Ish-deputetja e PD: Gara e pabarabartë, Basha është vetëshpallur kryetar

75 mijë anëtarë të PD-së, të dielën do të zgjedhin kryetarin e ri, ku përballë liderit aktual Lulzim Basha në garë janë Edith Harxhi, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli. Për ish-deputeten e kësaj partie Lajla Përnaska, gara për zgjedhjet e brendshme është e pabarabartë.

”Unë vlerësoj faktin që arritur të organizohet një garë, pavarësisht se nga vetë kandidatët në këtë garë ka kontestime pafund për rregullsitë e garës, por që unë dhe në konceptim tim politik, unë gjithmonë e kam pranuar garën edhe kur ka qenë e pabarabartë”.

Pavarësisht kontestimeve dhe kritikave që ka për procesin, Përnaska u shpreh për ”Euronews Albania” se Partia Demokratike e ka të nevojshme të zhvillojë një garë të brendshme, sidomos pas humbjes së zgjedhjeve.

”Kjo është një garë e domosdoshme për statusin ku ndodhet Partia Demokratike. Ka dalë nga një goditje e rëndë, nga humbja e zgjedhjeve të 25 prillit dhe kjo goditje nga rezultati, e bën akoma më të domosdoshme garën për ndryshimin e lidershipit në PD, përgjegjësia e humbjes së një gare zgjedhore, çfarëdo qoftë ajo, i bie kryetarit dhe kryesisë së PD. E quaj të pabarabartë si garë, sepse nuk pati aktin aq fin të demokracisë që është dorëheqja e kryetarit dhe ky është njëri nga element që e cenon garën”, shtoi ajo.

SHKARKO APP