Ish-deputetja e PS, Desantila Tahiraj emërohet drejtoreshë e Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinci” në Elbasan
Ish-deputetja e Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Prof. Asoc. Dr. Desantila Tahiraj, është emëruar në detyrën e drejtoreshës së Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinci” në Elbasan, duke marrë drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të shëndetit mendor në vend. Emërimi i saj vlerësohet si një vendosje në krye të institucionit të një profili të njohur në mjekësi, akademi dhe jetën publike e politike.
Desantila Tahiraj përfaqëson një profil të konsoliduar profesional dhe politik, duke ndërthurur eksperiencën në sistemin shëndetësor me angazhimin e gjatë në jetën institucionale dhe përfaqësimin parlamentar. Si mjeke, ajo njihet edhe si një figurë e afërt dhe e dashur për komunitetin e Elbasanit, duke spikatur për qasjen e saj njerëzore, komunikimin e ngrohtë me pacientët dhe besimin e krijuar ndër vite mes qytetarëve.
Në aspektin profesional, Tahiraj ka një karrierë të gjatë në sistemin shëndetësor. Ajo ka shërbyer si drejtoreshë e Spitalit Rajonal “ Xhaferr Kongoli”të Elbasanit dhe e Kujdesit Shëndetësor Parësor, si dhe si mjeke specialiste dermatologe. Paralelisht, ka qenë e angazhuar edhe në mësimdhënie akademike në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, duke kontribuar në formimin e studentëve të mjekësisë dhe infermierisë.
Në fushën akademike, ajo ka arritur gradën “Doktor i Shkencave” në vitin 2012 dhe titullin “Profesor i Asociuar në Shkencat Mjekësore” në vitin 2016, duke konsoliduar profilin e saj shkencor në lëmin e mjekësisë. Përtej mjekësisë, Tahiraj ka qenë e angazhuar edhe në projekte të shëndetit publik dhe programe sociale në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare si UNICEF dhe USAID, ku ka kontribuar si koordinatore dhe trajnere në fusha të ndryshme të shëndetit riprodhues dhe edukimit shëndetësor.
Me një profil që ndërthur eksperiencën klinike, menaxheriale dhe akademike, emërimi i saj në krye të Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinci” pritet të sjellë një qasje të re në drejtimin e institucionit, me fokus në përmirësimin e shërbimeve, rritjen e standardeve të kujdesit dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në fushën e shëndetit mendor në Elbasan dhe më gjerë. Ky emërim konsiderohet gjithashtu si një vlerësim i kapaciteteve drejtuese menaxheriale dhe integritetit të lartë të treguar gjatë ushtrimit të detyrave.
KOHA JONË SONDAZH

