Ish-drejtuesi i policisë Mit’hat Havari: Sandër Lleshi nuk është i duhuri për postin
Edhe pak orë kanë mbetur deri në vendimin për dekretimin apo jo të ministrit të ri të Brendshëm, Sandër Lleshit nga presidenti Ilir Meta.
Të ftuarit dje në emisionin ‘Repolitix’ ishin gazetarët Poli Hoxha dhe Erjon Tase, ish-drejtori i policisë Mit’hat Havari dhe ish-kreu i SHIU-t Ylli Zyla. Në fjalën e tyre, thuajse njëzëri ata kanë shprehur mendimin se Presidenti Meta nuk do ta dekretojë gjeneralin Sandër Lleshi.
Tase: Është e drejta e presidentit që ta shohë me një filtër kandidaturën që ai ka brenda opozitës. Ai thotë një fjali që mua më bind që nuk do ta dekretojë. Pak a shumë unë kuptoj që ai nuk do ta dekretojë.
Havari: Mendoj që Meta këtë gjë e sheh me shumë seriozitet. Ai kërkon njerëz me shumë eksperiencë.
Zyla: Po shoh që maxhoranca po tregohet arrogante. Duke parë shumë dekrete që ia çon Metës shumë formalisht dhe pastaj i miraton me kartona. Unë shoh që Meta nuk ka ndërmend ta dekretojë Lleshin. E lë të kuptohet mes rreshtash.
Hoxha: Presidenti mbron frymën kushtetuese. Ai thotë se nuk jam noter. Po të kishim një parlament normal do t’i bënim një skaner as në parlament.
Më tej në fjalën e tij, ish-drejtuesi i policisë Havari u shpreh se Lleshi nuk është figura e duhur për postin pasi edhe detyrën si këshilltari i Ramës për sigurinë kombëtare nuk e ka kryer siç duhet.
I të njëjtit mendim me të ishte edhe Zyla, i cili u shpreh se gjenerali Sandër Lleshi është përgjegjës mbi gjendjen që është përfshirë vendi nga krimi.
“Mos prisni nga Meta që të bëhet noter. Ministria e Brendshme mund të drejtohet edhe nga një zv.ministër. Është e zgjidhur. Jemi në një situatë emergjente ku Ministria e Brendshme është e përfshirë nga krimi. Lleshi është një gjeneral që ka qënë këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe nuk e përjashtoj nga përgjegjësia për situatën në të cilën ndodhet vendi”- tha Ylli Zyla, ish-kreu i SHIU-t.
Temë e bisedës në studio u bë edhe paraardhësi i Sandër Lleshit, ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Sipas gazetarit Tase, Xhafaj u detyrua që të jepte dorëheqjen për shkak të videos që iu publikua por sipas tij ai nuk e donte detyrën që iu dha.
Zyla tha se Xhafaj nuk duhet ta kishte marrë detyrën që në fillim në momentin, kur e dinte që i vëllai kishte probleme.
“Kjo e bëri atë shumë objekt sulmi nga opozita dhe faktorë të tjerë dhe e vuri atë në një pozitë që e detyroi që të japë dorëheqjen”- tha Ylli Zyla.
Ndërsa Havari solli rastin e ministres franceze të Drejtësisë, djali i së cilës ndodhej në burg ndërkohë që ajo ishte ministre.
“Ministrja franceze e Drejtësisë, djali ishte në burg dhe ajo ishte ministre atje ne Francë. Duhet të kesh prova të forta që të bësh akuza të tilla”- theksoi Mit’hat Havari.
Ditën e djeshme, në një intervistë presidenti Ilir Meta ka lënë ende të papërcaktuar kohën nëse do ta dekretojë ose jo ministrin e ri të Brendshëm, gjeneralin Sandër Lleshi. Meta u shpreh se vendimin për dekretimin e tij do ta marrë do të marrë kohën e duhur për të marrë vendimin e duhur pa u ndikuar nga askush.
KOHA JONË SONDAZH

