Ish-kryeministri Berisha: Në shtator fillojnë protestat e furishme deri në largimin e kryeministrit Rama
Nuk ndalon ish-kryeministri Berisha.
Ai tha mbrëmë te “Open” i Eni Vasilit në news24 se në muajin shtator do të rinisin protestat për largimin e Edi Ramës.
Teksa iu referua lajmit të gjigantit amerikan FoxNews, Berisha tha se ajo pasqyroi protestën e 7 korrikut, duke e krahasuar atë me ato që po ndodhin në Sri Lanka.
7 korriku, tha Berisha, shënoi shpalljen e një fuqie të re opozitare.
“Protesta kur të fillojë do të jetë non stop, ose shuhemi ne si forcë politike, ose fitojmë kauzën tonë. Në shtator do fillojmë protestën për vjedhjen e tmerrshme që po i bën këtyre njerëzve. Sot Foxnews, ka dhënë protestën tonë dhe ka bërë ngjashmërinë me Sri Lankën. Populli shqiptar nuk do votojë më i lirë nëse nuk del në protestë. Duhet ta pranojmë që 7 korriku shënoi një hov cilësor. Opozita është shumicë në botën dixhitale. 7 korriku shënoi shpalljen e një fuqie të re opozitare, që nuk ka ekzistuar”– theksoi Berisha.
Ndërsa me pas ai shtoi se “Protesta ishte pa asnjë diskutim përtej PD. Protesta që keni aty, keni me mijëra, kishte nga shoqëria civile, nga bizneset. Ata që folën në protestë ishin mbrojtës të kauzave. Njëra ishte kryekauza, boll vodhe, ik”.
Në lidhje me idenë se si do të jetë qeveria e re e opozitëse, kryetari i PD sqaroi:“Do bëhen përpjekjet më të jashtëzakonshme për të kapur grupet më anësore për t’u bashkuar me Frontin për Shpëtimin e Shqipërisë. Janë bërë disa përpjekje, ka rezultate, po bëhen përpjekje më të mëdha. Duhet të arrijmë komunitete të veçanta. Do rikthehet më fuqishëm. Kabineti i ardhshëm i PD do të ketë personalitetet më të shquara nga emigracioni, diaspora, Shqipëria. Sot ka burra e gra në pozicionet më të rëndësishme në fusha të ndryshme. Ata do të përfshihen. Përpjekjet janë non stop të kontaktimit me ta, të vendosjes së urave të komunikimit. Ka ekspertë, djem e vajza të një përgatitje shumë të mirë, por nuk flet kush me ta. Do bëj që shqiptarët ta harrojnë ‘Berishën2’.
Berisha shtoi se ose vdes ose e kthen në pushtet PD.