Ish-ministri i Brendshëm: Një pjesë e policisë përdoruese e drogës
Nga Miçigani i SHBA-ve, ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, ka komentuar të gjitha zhvillimet në vend. Demiraj thotë se vrasja e të riut i duhet lënë prokurorisë, por shqetësuese dhe tejet problematike për të, është që Ministria e Brendshme dhe Policia po përpiqen që të fshehin të vërtetën dhe fajin t’ia hedhin viktimës.
”Brenda 30 minutave atje u hodh një armë… dënohet personi që u qëllua, njësoj si në rastin e atij djalit të dhunuar te liqeni ku policia u mundua ta justifikojë dhunën duke ia hedhur fajin nënës së djalit [për edukimin e tij”,-tha Demiraj, i cili e justifikoi dhunën nga policia kryesisht prej përdorimit të substancave narkotike të disa prej punonjësve.
Nga ana tjetër, Demiraj iu drejtua me një këshillë në formë apeli direkt ndaj ministrit të ardhshëm të Brendshëm, Bledi Çuçi, se duhet të bëjë një test anti-drogë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.
”Kam informacione se disa efektivë të policisë janë përdorues droge, në rast se do të bëhej një test anti-drogë një pjesë e konsiderueshme do të dilnin pozitivë. Absolutisht kjo [deklaratë] nuk është akuzë kundër policisë në tërësi pasi 95-96 për qind e punonjësve janë të ndershëm, por janë të keqpaguar”,-tha për ”Euronews Albania”.