Ish të përndjekurit: Pse politika dështoi në hapjen e dosjeve
Në një prononcim për “Koha Jonë”, krerë të shoqatave shprehen se: “Hapja e dosjeve, mashtrimi i një Parlamenti të inkriminuar”
Redjon Shtylla
Deputetët dhe grupet e tyre parlamentare, fokusin e këtyre muajve të fundit e kanë vënë mbi Reformën në Drejtësi edhe pse mes palëve ka një mungesë konsensusi. Mungesa e një dakordësi, vlen të thuhet që rëndon edhe mbi çështje të tjera. E radhës është ajo e dosjeve të ish-sigurimit edhe pse kanë kaluar 25 vite nga rrëzimi i regjimit komunist, shteti shqiptar po bëhet gati të hapë dosjet, çka do t’u mundësojë ish-të përndjekurve politikë të kenë mundësi të informohen saktë se çfarë ju ka ndodhur jetës së tyre dhe përse u dënuan në burgjet e sistemit komunist. Ligji për informimin me dosjen e ish sigurimit u aprovua nga parlamenti me datë 30.04.2015, por edhe në më pak se disa javë parlamenti do të marrë punimet verore dhe ngritja e komisionit të posaçëm për hapjen e dosjeve ka ngecur në votimin e kandidatëve për anëtarë. Një përpjekje prej vitesh tashmë kjo e hapjes së dosjeve dhe një premtim ndaj ish-të përndjekurve dhe familjeve të tyre, ndaj së cilës politika nuk po e zbaton. Lidhur me këtë neglizhencë, në një prononcim për “Koha Jonë”, Simon Mirakaj-Kryetar i Shoqatës antikomuniste e ish-të përndjekurve politikë Demokratë, është shprehet se; “Në emër të të gjithëve të ish të përndjekurve, ju është dorëzuar Kryetarit të Kuvendit z.Ilir Meta një shkresë, ku kemi kërkuar të bëhen publike arsyet se pse hapja e dosjeve që çon në ngritjen e komisionit përkatës, nuk është futur në kalendar të votimit, të autoritetit për informacion të dosjeve të ish sigurimit dhe kur do të votohet”,- ka deklaruar më tej Mirakaj. E ndërsa për Besim Ndregjoni, Kreu i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, ky ligj jo që nuk i hap dosjet por është një akt administrativ në duart e pushtetit politik. Ai nënvizon se; “Kjo ndodh sepse ata mund kanë inate ndaj kundërshtarëve politikë dhe aspak seriozitet për hapjen e dosjeve, që të njihen brezat e rinj me krimin që ka dosja brenda. Gënjeshtra e hapje së dosjeve do të vazhdoi sa herë i intereson politikës dhe aspak të vërtetës”,- u shprehet ai.
56 firmat që nuk mblidhen për hapjen e dosjeve
Edhe pse maxhoranca siguron votat për të ngritur komisionin, asnjë lëvizje e tyre deri më tani nuk është ndërmarrë dhe gjasat janë që hapja e dosjeve do të jenë pas shumë kohësh, kur palët të kenë qetësinë e duhur. Për të realizuar hapjen e dosjeve projektligji parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm me 5 anëtarë. Dy anëtarë do të propozohen nga Kuvendi i Shqipërisë dhe një anëtar nga Këshilli i Ministrave. Një përfaqësues propozohet nga shoqatat e të përndjekurve politikë, i mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë, dhe një përfaqësues tjetër do propozohet nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, i mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë. Mbledhja e 56 firmave të deputetëve për dy kandidatët e tjerë të komisionit është pika ku ka ngecur puna dhe është pengesa për konstituimin e autoritetit që do të mundësojë hapjen e dosjeve.
Çfarë do shqyrtojë komisioni
Ky komision do trajtojë çdo rast apo kërkesë të ardhur nga individë apo institucione shtetërore. Sipas informacioneve ekzistojnë mbi 14 mijë dosje me mbi 1.5 milion fletë të ruajtura në arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe mijëra dosje të tjera në ruajtje në institucione të tjera shtetërore, të cilat nevojiten t’i nënshtrohen një procesi të plotë ruajtje, klasifikimi dhe shqyrtimi. Projektligji i qeverisë synon dhënien e aksesit në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit sipas një procesi të mirë-rregulluar për të gjithë personat e prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish Sigurimit të Shtetit. Këtu përfshihen jo vetëm personat e përndjekur nga ish Sigurimi, por edhe vetë bashkëpunëtorët dhe ish punonjësit e Sigurimit, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së Sigurimit. Politika nuk po i hap rrugën konstituimit të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili do të mundësonte zbatimin e ligjit të shumëdebatuar, për të cilin pati një pritshmëri se do të bënte ndarjen e shoqërisë dhe institucioneve nga e kaluara komuniste
Debati pse politika nuk është e interesuar për hapjen e dosjeve
Projektligji parashikon që për zyrtarët e lartë do të kërkohet të dihet nga autoriteti i arkivave që do të ngrihet, nëse kanë qenë ose jo pjesë e ish-sigurimit të shtetit dhe pasi të merret verifikimi i mbetet institucionit të vendosë. Në pikën 4 të nenit 29 thuhet se: “Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit nr.8001, datë 22.09.1995, ‘Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare’, si dhe ligjit nr.8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik’”. E ditur deri më tani është se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka verifikuar dhe pajisur me certifikata sigurie 9 kandidatë nga 11 të tillë. Procedura e verifikimit nga DSIK ishte një ndër argumentet kryesore justifikuese për zvarritjen e ngritjes së komisionit. Po ashtu, kandidatët kanë dorëzuar në Kuvend edhe formularin e vetëdeklarimit, në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, duke konsumuar të gjitha hapat dhe tejkaluar pengesa ligjore, për t’u votuar në Parlament. Brenda një muaji nga hyrja në fuqi e ligjit, ishte parashikuar që Kuvendi duhet të zgjidhte anëtarët e Autoritetit dhe më tej Këshilli i Ministrave, brenda dy muajve, duhet të miratonte aktet nënligjore për procedurën e kalimit në administrim të Autoritetit të materialeve arkivore, të parashikuar nga nenet 14 dhe 15, mënyrën e ruajtjes fizike të tyre, si dhe tarifat e pagesat. Siç ligjit në fjalë, autoriteti brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, duhet të miratonin rregulloren e organizimit dhe funksionimit të tij,e po kështu brenda tre muajve nga fillimi i funksionimit të Autoritetit, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe SHISH-i duhet të kenë kaluar në administrim tek Autoriteti të gjithë arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ish-të përndjekurit: Ligji, një problem më vete
Edhe pse jemi në fazën e fundit, kritikat e kryetarëve të shoqatave të ish-të përndjekurve, shprehen se ligji në fakt është një problem që i jep të drejtë krerëve të partive, Ministrave për hapjen e dosjeve apo jo. Besim Ndergjoni, shprehet se hapja e dosjeve jo me këtë ligj që kanë aprovuar që s’ka asnjë lidhje me hapjen e dosjeve se ky ligj i jep të drejtë kryetarit të Partisë, Ministrit apo shtetarit të lartë, të hapi dosjet ose jo. “Ky ligj jo që nuk i hap dosjet por është një akt administrativ në duart e pushtetit politik për ta përdorur ndaj kundërshtarëve politikë dhe aspak në të vërtetat e dosjes që të njihen brezat e rinj me krimin që ka dosja brenda”,- shprehet Ndregjoni. Nuk është hera e parë që flitet për hapjen e dosjeve, ashtu siç dhe shprehet Simon Mirakaj, se në 25-së vite jemi në gjendjen fillestare. Më tej ai shton se ka pasur tentativa, e u krijuara komisioni, e më vonë në 2001 përsëri u krijuara komisioni por asnjë herë nuk ka pasur një tentative serioze në këtë drejtim.
Besim Ndregjoni: Parlamentarë të inkriminuar, nuk mund të hapin dosjet e tyre
“Pushteti politik që drejton qeverisjen e vendit është pjellë dhe trashëgimtare e sistemit diktatorial që i krijoj dosjet dhe që gjatë këtij 25 -vjeçar pluralizëm nuk ka lejuar si në opozitë dhe në pushtet të hapen dosjet e sigurimit të sistemit komuniste. Partia tjetër e ka përdorur politikisht për interesa të saj politike hapjen e dosjeve. Pra ky parlament i inkriminuar me krimin e djeshëm dhe se sot në këtë parlament janë hetuesit, ish operativat e sigurimit të djeshëm, ish-pjesëtarë të nomenklaturës komuniste që i kanë krijuar këto dosje. Pjesa tjetër janë të kapur nga droga krimi i prostitucionit, e si do të guxonin këto parlamentarë të hapnin dosjet ku penalizoheshin ata me krimet që fshihen në këto dosje. E gjithë loja e dosjeve është të mashtrojmë ndërkombëtarët se ne jemi për hapjen e dosjeve dhe loja e mashtrimit vazhdon, gënje dhe mos vepro. Ky ligj jo që nuk i hap dosjet por është një akt administrativ në duart e pushtetit politik për ta përdorur ndaj kundërshtarëve politikë dhe aspak në të vërtetat e dosjes që të njihen brezat e rinj me krimin që ka dosja brenda. Gënjeshtra e hapjes së dosjeve do të vazhdoj sa herë i intereson politikës dhe aspak të vërtetës”,- shton Ndregjoni.
Simon Marakaj: Më të interesuar për dekriminalizimin sesa për dekomunistizimin
“Në ligj nr.45/2015 në nenin 44 thuhet se një muaj mbas aprovimit nga parlamenti të këtij ligji parlamenti duhet të votojë autoritetin për informacionet me dosjen e ish sigurimit. Mos votimi në parlament tregon se asnjëra palë nuk është e interesuar. Ata janë më të interesuar për dekriminalizimin sesa për dekomunistizimin. Ne jemi 25 vite që jemi në gjendjen fillestare, por nuk duhet ta mohoj që në 1995, ka pasur tentative, e u krijuara komisioni, e më vonë në 2001 përsëri u krijuara komisioni por asnjë herë nuk ka pasur një tentative serioze në këtë drejtim. Tani po flitet, që është aprovuar një ligj, me gjithë defektet e tij, me të gjithë defektet që ka ky ligj, unë e kam mbështetur vetëm e vetëm që ti jepet fund, njëherë e përgjithmonë e të fillojë diskutimi, e mos të na ndjekë më ajo hija e zezë e dosjeve. Pavarësisht, probleme që ka ky ligj, duhet të fillojë puna për hapjen e dosjeve. Kjo është një kërkesë e Këshillit të Europës, kërkesë e kohës, e shpresoj që do të gjejë, zbatimin e duhur. Në të gjithë Europën post komuniste ka mbaruar, lufta e hapjeve të dosjeve si në: Gjermani, Poloni, Çeki e si gjithmonë Shqipëria është e fundit për t’i dhënë zgjidhje problemeve”,- deklaron Mirakaj.
KOHA JONË SONDAZH

