Ish-ushtarakët shqiptarë në SHBA, “Zoti e bekoftë Amerikën”

Intervistë me kreun e shoqatës së ish-Ushtarakëve, “Skënderbej” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bujar Hasani

 

Nga Albina Gjergji

Më 4 korrik, në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës u celebrua 243-vjetori i Pavarësisë së saj. Një ditë mjaft e veçantë kjo jo vetëm për amerikanët, por edhe për të gjithë emigrantët e botës, të cilët Amerika ndër vite i ka mirëpritur dhe u ka hapur dyert e një jete më të mirë. Në këtë shtet, i cili njihet botërisht si shteti i mundësive të mëdha, shqiptarët gjithashtu festuan në mënyrën më dinjitoze të mundshme nën urimin ZOTI E BEKOFTË AMERIKËN.

Muzikë, valle, trokitje gotash, fishekzjarre, dashamirësi e mikpritje e rrallë, është panorama e datës 4 korrik në të gjitha familjet shqiptare, në dyert e të cilëve valëvitet flamuri amerikan dhe ai kuq e zi.

Por një nga festat, e cila këtë vit meriton të cilësohet si më e veçanta, të paktën në shtetin e New Yorku-t, padyshim është ajo e organizuar mjeshtërisht nga Shoqata e Ish-Ushtarakëve Shqiptarë në USA, e quajtur “Skënderbej”. E regjistruar sipas rregullave dhe ligjeve të shtetit amerikan, kjo shoqatë u krijua pak vite më parë nga vullneti i mirë i disa shqiptarëve të lirë. Solidariteti, mbështetja, njohja me njëri-tjetrin në tokën e bekuar, si dhe promovimi i vlerave të Shqipërisë në USA janë vetëm disa nga qëllimet e krijimit të shoqatës. Të kësaj shoqate që brenda vetes ka rrokur disa nga emrat me dinjitozë të ish-ushtarakëve shqiptarë. Përmendim këtu, kryetarin e saj, Bujar Hasani, Përparim Seitajn, admiralin Muharrem Kuçana, (anëtar nderi i shoqatës me një kontribut të vyer në krijimin e shoqatës) Gëzim Shantollin, Flutura Zekaj, atasheu Ushtarak i Shqiperise ne Washington DC, kolonel Ardian Bali, Veri Talushllari, Agim Pira, etj..

Në festën e madhe, e cila u çel me himnin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kishte si të mungonte as himni shqiptar dhe as letra përshëndetëse e ambasadores shqiptare në Washington, znj. Floreta Faber. Ajo vlerësoi nismën e ish-ushtarakëve shqiptarë në USA dhe përshëndeti të pranishmit e shumtë në aktivitet.

“Eshte përherë kënaqësi të festosh me bashkatdhetarët e tu Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që tashmë është atdheu juaj i dytë. ç’ka e bën të veçantë këtë aktivitet është respekti dhe mirënjohja që ju tregoni në këtë ditë për personelin ushtarak shqiptar që ka marrë pjesë në misionet e përbashkëta në kuadër të NATO-S, BE-së, apo edhe si vëzhgues të OKB-së. Eshtë kontributi, por edhe gjaku i këtyre djemve dhe vajzave që na bën të ndjehemi krenarë përkrah aleatëve tanë në Aleancën Euro-Atlantike. Përkushtimi dhe angazhimi juaj në Shqipërinë amerikane është një urë e fortë bashkëpunimi dhe miqësie midis dy vendeve dhe treguesi më i qartë i vlerave më të mira të kombit tonë”, u shpreh në letrën e saj dërguar shoqatës “Skënderbej” znj. Faber. Shoqata “Skënderbej” së shpejti do të inaugurojë dhe disa degë të tjera të saj, siç do të jetë ajo në Boston dhe në Virginia. Më shumë detaje mbi idenë, krijimin dhe qëllimin e kësaj shoqate jo fitimprurëse për “Koha Jonë” nga USA na flet kryetari i saj, Bujar Hasani.

Prej disa vitesh të vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, a mund të na thoni si lindi idea e krijimit të shoqatës “Skënderbej” z. Hasani? 

Fillimisht më lejoni të uroj të gjithë shqiptarët e Amerikës, por edhe të gjithë amerikanët, Gëzuar Ditën e Pavarësisë. Zoti e bekoftë Amerikën. E për të dalë tek pyetja juaj, do thoja që shoqëria e ushtarakëve këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë është ingranuar natyrshëm në shoqërinë amerikane. Kështu që duke e parë si të tillë, e shikuam të arsyeshme, që edhe ne të mblidheshim si shoqatë dhe të krijonim bashkarisht e vullnetarisht një fole të përbashkët jo vetëm ushtarakësh, por në tërësi shqiptarësh. Pasi neve na ka lidhur shumë jeta ushtarake me njëri-tjetrin dhe fatmirësisht vazhdon të trashëgohet kjo lidhje e fortë edhe tek fëmijët tanë.

Cili është qëllimi, apo objektivat e krijimit të kësaj shoqate?

Një nga objektivat tona është që ta ruajmë dhe t’i çojmë më tutje traditat e mira të ushtrisë në veçanti e të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Njëherësh, duke qenë se në USA vijnë dhe të rinj, pra familje të reja ne me mundësitë tona përpiqemi t’u vijmë në ndihmë atyre. Duke parë edhe kërkesat, radhitëm një sërë objektivash që kjo shoqatë duhet të realizojë dhe ashtu natyrshëm u mblodhëm në dhjetor të viti 2017-të mbi 50-të ish-ushtarakë dhe krijuam shoqatën “Skënderbej”. Sigurisht që ne kemi pranuar jo vetëm ish-ushtarakë, por edhe familjet e ish-ushtarakëve, apo fëmijët e ish-ushtarakëve që për arsye të ndryshme nuk janë këtu, ose që kanë ndërruar jetë, për t’i përkujtuar edhe ata që do të jenë gjithmonë në vëmendjen tonë dhe të brezave që do të vijnë. Pra, kështu lindi shoqata jonë.

Si funksionon pjesa e financës tek shoqatat si e juaja, pra jofitimprurëse z. Hasani?

Kryefjalë janë donacionet, të cilat sigurisht nuk janë fikse dhe as të detyruara. Secili sipas mundësisë që ka mund të bëjë donacion. Shuma e mbledhur nga donacionet ka për synim kryesor përdorimin për njerëzit në nevojë, duke u nisur nga fatkeqësitë, vdekjet, sëmundjet, por edhe për të promovuar Shqipërinë, apo edhe për të marrë në ndihmë fjala vjen një student, që nuk i ka mundësitë nga Shqipëria. Të gjithe ne bashkarisht përpiqemi që të strehojmë, punësojmë dhe në përgjithësi të ndihmojmë shqiptarët tanë.

Organizoni shpesh festa si kjo e sotmja, që jo rastësisht përkon me rastin e Ditës së Pavarësisë së Amerikës?

Nga dita që u vendos krijimi i shoqatës në ditën e miratimit nga  Departamenti i Shtetit të New York-ut, më 28 shkurt të vitit 2019 ne mblidhemi shumë shpesh dhe i bëjmë këto evenimente për të respektuar Festën e Pavarësisë së Shqipërisë, të Pavarësisë së Amerikës dhe me gjithçka tjetër që ka të bëjë me promovimin, vlerat dhe traditat e përbashkëta.

Sa domethënëse është për shqiptarët e Amerikës 4 korriku?

Shqiptarët jetojnë e punojnë këtu falë autoritetit të këtij shteti, falë mirësisë që ka patur historikisht ky shtet për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe me të drejtë shumë nga ne e quajmë vendlindjen e dytë. Njëkohësisht, përderisa na kanë dhënë të drejtën e shtetësisë si qytetarë amerikanë, por edhe që të mos e humbasim shtetësinë tonë ky fakt duhet vlerësuar si privilegj dhe patjetër që ia dimë për nder. Në këtë kontekst ne ndjejmë që jemi pjesëtarë të këtij shteti, prandaj edhe celebrojmë çdo 4 korrik Festën e Pavarësisë së Amerikës.

A mund të na përmendi disa nga ish-ushtarakët, kontributorët dhe anëtarët e shoqatës “Skënderbej”?

Me kënaqësi do përmendja anëtarin e nderit, admiralin, z. Muharrem Kuçana si një nga kontributorët më të vjetër të kësaj shoqate. Shoqërisht dhe vëllazërisht mua më kanë votuar si president të bordit të kësaj shoqate, zv/president Gëzim Mustafaj (doktor shkencash ushtarake), Përparim Seitaj (anëtar), Gëzim Shantolli (sekretar), Flutura Zekaj (shefe finance), Agim Pira (anëtar kryesie), Veri Talushllari, Besnik Sokoli, Dirka dhe Astrit Xhakollari, Mihal Jano, atasheu Ushtarak i Shqiperise në Washington DC, kolonel Ardian Bali, etj.. Të gjithe ne kur mblidhemi bashkë e ndjejmë veten si një familje, pasi në mënyrën tonë krijojmë një copëz Shqipërie të vogël në mes të Neë York-ut. Rjedhimisht ndjehemi harmonikë midis flamurit tonë dhe flamurit amerikan që padyshim janë dy flamujt më të mirë në botë.

 

Cili është urimi juaj si kryetar shoqate për shqiptarët e Amerikës, por edhe për të gjithë amerikanët në këtë ditë feste?

Përfitoj nga rasti në këtë datë historike t’i uroj nga zemra të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë dhe gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë shteti me demokracinë më të kuluar në botë. Ky vend është tokë e bekuar dhe është fat i madh për ne.

SHKARKO APP