Itali, qeveria shkrin bashkinë e Korleones, djepi i bosëve të mafies
Ministri i Brendshëm merr vendimin për shkak të infiltrimeve mafioze në vendimmarrjen e bashkisë
Corleone është një qytet i vogël Sicilian prej vetëm 11.000 banorë, nga kanë dalë bosët më të ashpër të mafies, duke përfshirë të përgjakshmin Toto Riina dhe pasardhësin e tij, Bernardo Provenzano, i cili vdiq muajin e kaluar në moshën 83 vjeçare, i njohur edhe si Padrino i fundit. Propozimi është bërë nga vetë ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano dhe është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Në janar Alafano kishte urdhëruar një hetim në lidhje me disa incidente që kishin krijuar shumë polemika. Ajo që tërhoqi mjaft vëmendjen ishte ndalesa që bëri kortezhi fetar i vëllazërisë San Giovanni Evangelista qershorin e kaluar përballë shtëpisë së Toto Riina, i dënuar me burgim të përjetshëm me akuzën e vrasjes së rreth 40 njerëzve dhe se ka urdhëruara vrasjen e më shumë se 100 të tjerëve, duke përfshirë edhe gjyqtarët anti-mafia Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.
Nënkryetari i vëllazërisë Leoluca Grizzaffi, argumentoi se ndalesa ishte e rastësishme dhe pothuajse e detyrueshme për shkak të numrit të njerëzve që ishin aty. Ai u mor në pyetje nga agjentët po atë ditë. Një tjetër rast i hetuar ishte punësimi i vajzës së bosit Rosario Lo Bue (e akuzuar se është përpjekur të organizojë vrasjen e ministrit Alfano) si asistente mjekësore në shkollën Giuseppe Vasi. Vajza e mafiozit ishte e vetmja që u paraqit në procesin e përzgjedhjes për arsye të panjohura dhe njoftimi nuk është publikuar në faqen e internetit të bashkisë.
Një tjetër polemikë ka të bëjë me terrenet sportive për qytetarët. I referohet dhënies së kontratave nga një punonjës i bashkisë, Antonio Di Marco, që u arrestua për marrjen e hapave që favorizonin mafien dhe fshehjen e takimet e zhvilluara nga kriminelët në objektet komunale. Por rasti që ka çuar në shpërbërjen e këshillit lidhet me vëllain e kryetares të komunës së Corleones me mafien.
Një grup mafiozësh lokalë u takuan me kryetaren e qytetit për të marrë me qera një fabrikë qumështit që i takon Këshillit Bashkiak. Në këtë takim ishte Giovanni Savona, vëllai i kryetares së komunës, Leoluchina Savona. Lidhja e mundshme e kryetares me mafian ka impresionuar, sepse Leoluchina Savona njihej si një politikane anti – mafie që madje është vlerësuar disa herë për luftën ndaj saj. Ajo qeveriste në Corleone që nga viti 2002, me një formacion të qendrës së djathtë, dhe ka refuzuar që të ketë lidhje me infiltrimet mafioze.
“Mund të jem papërvojë, por nuk mund të konsiderohem e afërt me qarqet e mafies. Jam e gatshme të largohem nga familja ime në qoftë se provohet që vëllai im është i përfshirë”, tha ajo. Përfaqësuesit e partive të ndryshme politike janë shprehur të keqardhur për këtë situatë që e kanë denoncuar prej kohësh. “Shkrirja e Bashkisë së Corleones është e rëndë dhe e dhimbshme. Përgjegjësia e atyre që lejuan Cosa Nostra të marrë pjesë në aktivitetet administrative është e pafalshme”, shprehet deputeti i Sicilisë i Partisë Demokratike, Giuseppe Lumia, anëtar i Komisionit Parlamentar anti-mafia. /DITA
KOHA JONË SONDAZH

