Iu vra i biri 28-vjeçar/ Kush është ish-gjyqtari Fran Prendi, dha vendimin e bujshëm ndaj Salvadore Letizias dhe grupeve kriminale
Klajdi Prendi, djali i ish-gjyqtarit të krimeve të rënda Fran Prendi, u vra nga persona të paindentifikuar pak pasi kishte kaluar mesnata.
28-vjeçari gjendej në zonën e Xhamllikut në momentin kur sapo doli nga një kafene, dhe sapo hipi në makinë një person është afruar dhe e ka qëlluar me armë zjarri.
Policia shkencore që kqyri skenën e krimit bën me dije se ndaj Klajdi Prendit u shkrepën pesë plumba.
I riu u përcoll në spital nga miqtë e tij por qe e pamundur t’i shpëtohej jeta. Ndërkohë pak mbas krimit të sofistikuar, policia e Tiranës u njoftua për një makinë që po digjej në zonën e Farkës , që forcon bindjen se autorët e kishin planifikuar atentatin më herët.
Kjo e dhënë rrëzon pistën që vrasja e 28-vjeçarit të ketë ndodhur për motive të dobëta. Agjentët e zbardhjes së krimeve po mbledhin kamerat e sigurisë në zonë për shkak të dyshimeve se autori nuk ka qenë i vetëm, ndërkohë që janë kërkuar të dhëna edhe nga kartoteka e policisë mbi të kaluarën e 28-vjeçarit.
Ajo që dihet është se viktima është djali i një gjyqtari në gjykatën kundër krimeve të rënda, që përpara dorëheqjes nga sistemi ka shpallur vendime të forta si ai i dënimit të Salvadore Letizias, një nga ish anëtar i Camorras italiane, apo i dënimit të disa grupeve në fushën e narkotrafikut.