Ja rrugët e bllokuara nga bora

Ministria e Brendshme ka dhënë informacion të detajuar për situatën e krijuar nëpër akset nacionale si pasojë e reshjeve të borës në 24 orët e fundit.

Sipas MB, është bllokuar nga dëbora rruga e Dajtit në vendin e quajtur “Qafë Mollë”, ku kanë mbetuar të bllokuara rreth 30 automjete.

Në ndihmë të tyre janë nisur shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Nr 4, dhe një grup i FNSH-së, pasi ka edhe fëmijë të vegjël në automjete.

Patrulla e Policisë Rrugore me një automjet Fuoristradë të policisë po bën evakuimin e fëmijëve dhe të grave të bllokuara nga bora dhe aktualisht po shkon dhe fadroma për hapjen e rrugës.

Po si pasojë e motit të keq aksi rrugor Përrenjas – Qafë Thanë – Pogradec është i bllokuar nga bora.

Në këtë aks ka automjete të bllokuara , ku në ndihmë të tyre kanë shkuar forcat e policisë rrugore dhe të rendit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan dhe Korçë për t’i ndihmuar.

Në drejtim të Qaf Thanës janë nisur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato Speciale për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve të bllokuar dhe për të bërë të mundur çbllokimin e këtij aksi.

Njëkohësisht aksi rrugor Tepelenë –Gjirokastër në vendin e qaujtuar Uji i Ftohët ka rrëshqitje dheu dhe është vështirësuar qarkullimi i automjeteve.

Dy patrulla të Qarkullimit Rrugor dhe dhe dy patrulla të Përgjithshme ndodhen në vendin ku ka rrëshqitje dheu, për t’ju ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve .

Gjithashtu në aksin rrugor Levan – Fier ,në një segment rreth 100 metra ka dalje të ujit në asfalt ku është vështirësuar lëvizja e automjeteve. Patrulla të Qarkullimit Rrugor janë në këtë segment duke orientuar dhe ndihmuar drejtuesit e automjeteve.

Vështirësi qarkullimi ka edhe në Rrugën e Kombit, ku qarkullimi vijon me zinxhirë dhe aktualisht ka rreshje te dendura të dëborës.

Në qarkun Dibër qarkullimi vijon me zinxhirë, ndërsa në zonën e Gollobordës rruga është e bllokuar.

Bllokime rrugesh nga bora ka edhe ne akset rurale e në zonat e thella malore.

Patrullat e Qarkullimit Rrugor po asistojnë në të gjitha veprimet që po kryhen, duke bashkërenduar dhe bashkëvepruar me Drejtoritë e Rrugëve dhe Emergjencat Civile.

Policia e Shtetit ka kaluar në gadishmëri të plotë dhe në të gjitha akset rrugore ka shtuar Patrullat e Policisë Rugore dhe të Patrullave të Përgjithshme.

Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë atyre drejtuesve të automjeteve që kanë planifikuar të lëvizin në aksin rrugort Elbasan- Korçë , të mos qarkullojnë pasi rruga është e bllokuar nga dëbora dhe qarkullimi nuk do lejohet as me zinxhirë deri në çbllokimin e plotë të këtij aksi.

Njëkohësisht të gjithë drejtuesit e automjeteve që do qarkullojnë në akset rrugore të lartpërmendura duhet të jenë të paisur detyrimisht me zinxhirë.

SHKARKO APP