“Jam këtu për fëmijët tanë”, nëna e Martin Canit në protestë
Florina Cani, nëna e Martinit, 14-vjeçarit që humbi jetën pas një sulmi me thikë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ka qenë e pranishme në protestë, ku mbajti edhe një fjalim në podiumin e improvizuar përpara Kryeministrisë.
Ajo kërkoi më shumë siguri për fëmijët dhe denoncoi gjendjen në arsim, shëndetësi dhe institucionet e drejtësisë në vend. Cani u shpreh se prej 18 muajsh është pjesë e protestave për drejtësi dhe rend në sistemin gjyqësor, duke drejtuar akuza ndaj qeverisë dhe duke kërkuar largimin e saj.
“Mendova të bashkohem me ju për fëmijën tim dhe për fëmijët shqiptarë kudo që janë. Duam siguri. E çova djalin në shkollë dhe nuk më u kthye më. Jo nga padituria apo pakujdesia e tij, por për shkak të neglizhencës së atyre që kanë degraduar arsimin, shëndetësinë dhe shumë fusha të tjera.
Kam 18 muaj që protestoj dhe më mbushet zemra kur shoh Tiranën të mbushur me rini. Duam drejtësi dhe rend në gjykata. Poshtë kjo qeveri e krimit, poshtë Edi Rama! Duam drejtësi”, u shpreh ajo.
KOHA JONË SONDAZH

