”Jam sëmurë, po marr serum në QSUT”, gazetari tregon detaje nga zhdukja e Eglant Koçit
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me zhdukjen misterioze të Eglant Koçit, një ngjarje që po hetohet intensivisht nga autoritetet. Gazetari Ervin Leka bëri me dije se disa deklarata kontradiktore të Armand Shakajt, mikut të Koçit dhe personit të dyshuar në këtë çështje, kanë ngritur dyshime të forta te grupi hetimor. I ftuar në ”A2cnn”, ai tregon se Shakaj kishte deklaruar fillimisht se Koçi ishte kthyer nga Dubai në gjendje të rënduar psikologjike. Verifikimet e kryera nga policia dhe dëshmitë e familjarëve treguan se Koçi nuk kishte udhëtuar fare drejt Dubait, duke e bërë këtë pretendim të pavërtetë.
Një tjetër episod që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me një komunikim mes policisë dhe Koçit. Ky i fundit kishte pohuar se nuk mund të paraqitej në komisariat pasi po merrte trajtim me serum në QSUT. Por, kur efektivët shkuan për ta verifikuar këtë informacion, ai nuk u gjet në spital. Gazetari theksoi se hetuesit dyshojnë se mund të kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale që ka përfunduar me eliminimin fizik të Koçit.
Ngjarja kulmon në mbrëmjen e 4 qershorit, kur Armand Shakaj dyshohet se e ka thirrur Koçin për një takim sqarues. Kamerat e sigurisë e kanë fiksuar Koçin duke hyrë në ambientet e biznesit të Shakajt, por deri më tani nuk ka pamje që të tregojnë daljen e tij prej andej. Hetimet vijojnë, ndërsa policia po analizon provat dhe deklaratat e personave të përfshirë për të zbardhur fatin e Eglant Koçit.
KOHA JONË SONDAZH

