Jamie Foxx po rikuperohet pasi u sulmua në darkën e ditëlindjes
Aktori hollivudian, Jamie Foxx po shërohet pas një incidenti në një restorant gjatë darkës së ditëlindjes së tij të premten, duke e lënë atë me lëndime.
“Jamie Foxx ishte në darkën e tij të ditëlindjes kur dikush nga një tryezë tjetër hodhi një gotë duke e goditur në gojë”, ka thënë një zëdhënës i Foxx.
“Ai duhej të bënte qepje dhe po shërohet. Policia u thirr dhe çështja tani është në duart e forcave të rendit”, ka shtuar zëdhënësi, raporton CNN.
Departamenti i Policisë së Beverly Hills ka thënë se iu përgjigj “një sulmi të raportuar me një armë vdekjeprurëse në restorantin Mr. Chow, që ndodhet në 344 N. Camden Drive”.
Ngjarja ka ndodhur pak pas orës 10:00 në mbrëmje sipas policisë, megjithëse departamenti nuk e ka përmendur Foxx-in me emër.
Incidenti vjen pasi ylli i Hollivudit detajoi vështirësitë që pati me shëndetin e tij vitin e kaluar në një speciale të Netflix me titull: “Jamie Foxx: What Had Happened Was”.
Në specialen e Netflix të publikuar të martën, Foxx ka thënë se kishte një gjakderdhje në tru që çoi në një goditje po ashtu në tru, gjatë një urgjence mjekësore me të cilën u përball vitin e kaluar.
“Është një mister”, ka thënë aktori fitues i Oskarit në specialen e Netflix.
“Ne ende nuk e dimë saktësisht se çfarë më ndodhi”, ka shtuar ai.
“Më 11 prill, kisha një dhimbje koke të rëndë dhe i kërkova djalit tim një aspirinë. Dhe kuptova shpejt se kur jeni në një urgjencë mjekësore, djemtë tuaj nuk e dinë se çfarë të bëjnë. Para se të merrja aspirinën dola jashtë. Nuk mbaj mend 20 ditë”, ka deklaruar aktori i famshëm.
Pas një operacioni, mjekët thanë se Foxx mund të shërohej plotësisht, “por do të jetë viti më i keq i jetës së tij”.