Janë 1 mijë shtretër të lirë në ”Qytet Studenti”, Shehu: Aplikimi për rezervimin e dhomës bëhet online
Interesi i të rinjve për tu regjistruar në godinat e “Qytetit Studenti” është rritur ndjeshëm. Drejtuesja e ndërmarrjes nr.1 të strehimit të studentëve, Anila Shehu tha se aplikimin studentët mund ta bëjnë online.
”Ne kemi një kapacitet prej 4500 studentësh, të regjistruar 3400 studentë. Ky vit akademik ne na gjen me 14 konvikte të reja dhe 14 konvikte të reja kanë kapacitet mbi 2000 vende akomoduese. Studenti nga shtëpia bën regjistrimin online dhe ka tre ditë kohë që të kryejë pagesën në bankë dhe më pas vendi është i tij ose i saj”,-thotë Shehu. Aktualisht për tu akomoduar në godinat e këtij qyteti paguan 4500 Lekë në muaj ndërkohë që te godinat e rikonstruktuara pagesa është 5500 Lekë në muaj.
Për të aplikimi për 5 godinat e reja që janë drejt përfundimit, pritet të hapet shumë shpejt. ”Këto konvikte janë falë një bashkëpunimi dhe një mbështetje të qeverisë gjermane përmes bankës KFW. Janë rikonstruktuar me parimin e eficencës së energjisë, ka një sistem ftohës dhe ngrohës të kondicionimit, kanë dhoma akomoduese me dy studentë, kanë tualetin privat, kanë guzhinë në secilin kat, kanë lavanderinë qendrore dhe kanë çdo gjë. Ne po bëjmë një analizë kostoje dhe pagesa mund të pësojë një rritje shumë të vogël në konviktet që do të hapim”.