Japonia i akordon një grant prej 35,665 EUR Qendrës Sociale të Protezimit “Shpresa për Jetën”
Më datë 15 nëntor, Sh.T.Z. Makoto Ito, Ambasadori i Japonisë në Shqipëri nënshkroi një marrëveshje granti me kryetarin e OJF-së “Shpresa për Jetën”, Z. Izet Onuzi për t’i dhuruar shumën prej 35,665 EUR kësaj qendre ku realizohen protezime të jashtme, me qëllim përmirësimin e këtij shërbimi në Shqipëri.
Ky donacion u realizua në kuadër të skemës “Grante për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal” (GGP), pjesë e asistencës zyrtare për zhvillim, e financuar nga qeveria e Japonisë në mbështetje të vendeve në zhvillim. Kjo është e pesta marrëveshje granti që nënshkruhet këtë vit në Shqipëri, në kuadër të skemës GGP. Projektet e tjera të financuara gjatë vitit 2019 janë në fushat e shëndetësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe mbrojtjes nga katastrofat.
Njerëzit me nevoja ndryshe në Shqipëri, veçanërisht ata të gjymtuar, janë një prej grupeve sociale më të lëna pas dore dhe më të rrezikuara të shoqërisë. Këta individë përballen me vështirësi të shumta në jetën e tyre të përditshme duke filluar që nga gjetja e gjymtyrëve protetike që u nevojiten, e deri tek gjetja e një vendi pune dhe sigurimi i të ardhurave. Që prej themelimit të saj, OJF-ja “Shpresa për Jetën” u ka siguruar personave të gjymtuar në të gjithë Shqipërinë gjymtyrë protetike falas duke u dhënë atyre shpresë dhe mundësi të bëjnë një jetë aktive. Z. Onuzi, kryetari dhe themeluesi i kësaj OJF-je, kurrë nuk ka hequr dorë nga qëllimi i tij për të ndihmuar këtë grup njerëzish, pavarësisht se pajisjet dhe materialet me të cilat ka punuar ishin të vështira për t’u siguruar, të vjetëra apo të bëra me dorë.
Ky grant do t’i mundësojë OJF-së “Shpresa për Jetën” blerjen e pajisjeve të reja të specializuara për krijimin, punimin dhe mirëmbajtjen e protezave duke përmirësuar cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e procesit të bërjes së tyre në këtë qendër.
Gjatë firmosjes, Z. Onuzi i shprehu mirënjohje të thellë Qeverisë së Japonisë, dhe siguroi se do të punojë me përkushtim për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Nga ana e tij, Ambasadori Ito konfirmoi angazhimin e Qeverisë së Japonisë në ofrimin e ndihmës për OJF-në “Shpresa për Jetën”, dhe uroi për një zbatim sa më të shpejtë dhe të suksesshëm të këtij projekti, i cili do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve protetike që u ofrohen personave me nevoja ndryshe në Shqipëri.