Java Kulturore Italiane, të mëdhenjt e artit tonë skenik sjellin “Faust”-in e Johann Wolfgang von Goethe në ArtTurbina

Nga data 1 deri më 8 qershor, Shqipëria është kthyer në një skenë të hapur për artin, muzikën, teatrin, modën dhe dizajnin italian, në kuadër të Javës Kulturore Italiane, një ngjarje e shumëpritur që thellon e forcon lidhjet historike dhe shpirtërore mes dy vendeve. Gjatë kësaj jave, 17 aktivitete të ndryshme po mbahen në qytete të ndryshme të vendit, duke sjellë një përvojë të pasur kulturore për publikun shqiptar.

Spektakli teatral “Faust”, një kryevepër moderne e interpretuar nga trupa shqiptare, çeli këtë javë intensive në mbrëmjen e 1 qershorit në skenën e ArtTurbina. Nën regjinë e mjeshtrit italian Davide Iodice, vepra e famshme e Johann Wolfgang von Goethe mori jetë përmes një qasjeje të thellë shpirtërore dhe estetike, duke ndërtuar një udhëtim dramatik mes tundimit dhe përjetësisë.

Muzika origjinale e Lino Cannavacciuolo, një përzierje e dritës dhe errësirës melodike, përforcoi ndjeshmërinë dhe intensitetin e interpretimit, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këtë inskenim, Fausti nuk është më thjesht një personazh i epokës romantike, por një metaforë e njeriut modern, i zhytur në kontradiktat e ekzistencës, i përballur me tundimin e pushtetit, dijes dhe ndjenjës, ku djalli nuk përfaqëson më mëkatin tradicional, por të keqen e natyrshme që e shoqëron çdo epokë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Përmes përballjes me shtatë mëkatet vdekjeprurëse dhe historisë së dashurisë me Margaritën, shfaqja shndërrohet në një reflektim të thellë mbi humbjen, fajin dhe mundësinë e shpengimit — një betejë e përjetshme mes të mirës dhe të keqes që jeton brenda çdo njeriu.

Në rolet kryesore u ngjitën në skenë emra të njohur të teatrit shqiptar: Hervin Çuli, Ema Andrea, Niada Saliasi, Gert Ferra, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Ina Gjonçi, Krist Lleshi dhe Genti Deçka.

Ky projekt teatror është një bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Sardegna Teatro nga Italia, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, duke dëshmuar për fuqinë e artit si urë lidhëse mes popujve dhe si pasqyrë e shpirtit të kohës.

Java Kulturore Italiane mbetet një ftesë për qytetarët shqiptarë për të përjetuar artin si dialog, përkatësi dhe trashëgimi e përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë.
AV

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?