”Jemi dakord që projekti të zhvillohet”, Rama i kthehet qytetarit: Toka është e shitur, këtë nuk e zgjidhni dot me mua
Kryeministri Edi Rama është takuar me qytetarët e zonës së Zvërnecit. Gjatë takimit, qytetarët kanë ngritur shqetësimin se një pjesë e pronësisë së tyre pretendohet si e grabitur dhe kanë kërkuar që prona t’u rikthehet pronarëve të ligjshëm. Rama ka deklaruar se çështja e pronësisë i takon drejtësisë dhe se sipas tij procedurat janë ndjekur mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nga investitorët. Ai ka theksuar gjithashtu rolin e SPAK-ut dhe të gjykatave në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
Qytetari: Ajo është pronë e grabitur.
Rama: Kjo nuk është çështja ime.
Qytetari: Nuk është çështja juaj. Është çështje e drejtësisë së korruptuar këtu te ne.
Rama: Po fillove me “drejtësi të korruptuar” e këto… A besoni ju që ne kemi zona ku ka pronarë në det? Kemi parcela në det, parcela të kufizuara mbi tokë të gjelbër, gjysmë të gjelbër, madje edhe mbi shkëmbinj kam parë pronarë, që i kanë pasur të parët e tyre zogj që rrinin në shkëmb… por në det? Nuk po të them që s’ke të drejtë, por ku e gjen këtë të drejtë? Te drejtësia. Këtu ka edhe shumë gjykatës që kanë prona. Kush ua ka mohuar zërin? Shkoni e kërkojeni te ata që ua kanë mohuar. Mua më është mohuar edhe zëri. Ardit Bido është deputeti ynë. Dhe më ka thënë: “Dua të flas”. I kam thënë që ka të drejtën të thotë atë që mendon. Por Ardit Bido nuk është gjykatës.
Qytetari: Sa i përket projektit, ne jemi dakord për zhvillim. Jemi dakord që projekti të zhvillohet sipas parametrave përkatës, por prona t’u rikthehet pronarëve.
Rama: Prona tashmë është shitur dhe ka pronarë të tjerë, që janë vetë investitorë. Kur ata janë paraqitur te ne, kanë sjellë të gjitha dokumentet. Nga ana e dokumenteve është ndjekur procedura. Fati në këtë rast është i juaji… Mund të kishte ndodhur edhe ndryshe, mund të mos kishte pasur lidhje SPAK-u që ka hyrë në këtë proces krejt natyrshëm, por jo për projektin. Nëse gjykata do t’ju jepte të drejtë, ju sërish do t’i drejtoheshit shtetit, dhe shteti do t’ju kompensonte. Fati është që nëse shpalleni pronarë nga gjykata, paratë që janë të ngrira konfiskohen dhe bëhen para të shtetit, dhe shteti ua jep pronarëve.
Qytetari: Dakord, i keni thënë ju, por si po veprohet?
Rama: Këtë gjë nuk e zgjidhni dot me mua. SPAK-u ka punën e vet, ne tonën.
KOHA JONË SONDAZH

