“Jemi të fortë ne!” Covid “shpërthen” në Vlorë por qytetarët mosbesues, neglizhojnë masat

Vlora shënoi një rekord me 72 infektime me koronavirus në 24 orët e fundit, por mes qytetarëve ende shihet neglizhencë dhe papërgjegjshmëri në zbatimin e masave. Madje ka prej tyre që ende thonë se janë mosbesues për rrezikun e Covid 19.

“Nuk besoj, kur të pak gripi të kap çdo vit, nuk ka lindur tani kjo.”

Gati një vit pas shpalljes së pandemisë së koronavirusit, në Vlorë ka qytetarë që ende nuk e besojnë kërcënimin nga virusi.

Neglizhentët janë në masë.

Në qytet, në çdo orë sheh njerëz që lëvizin sikur të ishin kohë normale.

Në grupime, dhe pa zbatuar asnjë prej masave parandaluese të protokolleve të detyrueshme.

Disa e pranojnë se maskën e mbajnë për procedurë vetëm në vendet ku nuk i lejojnë.

“Nuk zbatohen se jemi një çikë të fortë ne. Vetëm kur futemi në dyqane, se atje të ndalojnë.”

Me 72 raste, e mërkura shënoi rekordin e infektimeve ditore, ndërsa këtë të enjte një kopësht u mbyll pasi 5 nga 9 punonjës rezultuan të prekur me Covid.

Sipas të dhënave zyrtare, 4581 persona janë infektuar gjithsej në Vlorë, 53 prej të cilëve kanë humbur jetën dhe 1156 janë aktualisht pozitivë me virusin Covid-19. /Ora News

SHKARKO APP