Jet Ski jashtë perimetrit të sigurisë në Ksamil, drejtuesi gjobitet me 500 mijë lekë
Një drejtues Jet Ski është gjobitur me 500 mijë lekë të rinj dhe i është bllokuar mjeti lundrues, pasi ka shkelur perimetrin e sigurisë dhe është futur në zonën ku po laheshin pushuesit në Ksamil.
Rasti është konstatuar gjatë patrullimit të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në sektorin detar, pranë “Ishujve të Ksamilit”.
Sipas autoriteteve, drejtuesi i Jet Ski-t kishte hyrë në hapësirën e përcaktuar për pushuesit, duke krijuar rrezik për jetën dhe sigurinë e tyre. Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar mjetin lundrues.
Pas përfundimit të procedurave administrative, Jet Ski është bllokuar, ndërsa drejtuesi, shtetasi me inicialet P. A., është ndëshkuar me një gjobë prej 500 000 lekësh të rinj.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare, me fokus garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që i përdorin ato që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të mos hyjnë në zonat e rezervuara për pushuesit.
KOHA JONË SONDAZH

