“JETA IME”, kartolina e mahnitshme e festave, nga Alban Skenderaj dhe Miriam Cani
Albert Vataj
Nuk mund të ishte një kartolinë më e bukur për festat e fundvitit, se “JETA IME”. Kjo këngë, me të cilën rikthehen mrekullueshëm, partnerët në jetë dhe në këngë, Alban Skenderaj dhe Miriam Cani.
Dhe nuk do të kishte gjë më madhështore për ardhjen e lajmit të gazmimit të kremtimeve, më hirshëm dhe më hyjshëm, se “JETA IME”, e cila është gjithashtu një himn që i thuret dashurisë, dhe një zëshmëri që ky duet i ofron atij komunikimi artistik, për të cilin kemi nevojë, asaj marrëdhënie e cila na rikthen te ndjenja e pastër, te përjetimi i çdo çasti të jetës, si një përjetësi.
Dhe shpërfaqet “JETA IME”, përmes një kripi, ku përcillet kohëshmëria e pamatshme, dhe gjithëprania e dashurisë, e vetë hyjnisë së ndjenjave që e shenjtëron jetën, duke e shtytur atë në caqet eterne, dhe kredhur në prehrin e përjetësisë si ajo, që duam dhe na do, dashuri.
Përmes një muzike që kolovit në dehje dhe përjetim, zërave magjepsës të Miriam Canit dhe Alban Skenderajt, vjen dhe marrin jetë për t’u shndërruar në himn i dashurisë, vargjet e Alban Skenderajt.
“Jeta ime, ti je dritë e syve të mi/ Je kuptimi im i fjalës dashuri/ Nuk na ndan dot as vdekja ne të dy/ Njëmijë jetë të jetoj/ Në çdo jetë të kërkoj veç ty/ Sa herë që bie kambana/ Sa herë që rrahin fort tupanat/ Përfytyroj ato duar/ Unazat duke shkëmbyer/ Ashtu të dy përqafuar/ Gjithë jetën duke vallëzuar/ Mjafton të kem ty me mua/ Dhe asgjë tjetër nuk dua/” dhe nuk mund të ngjitet më lart shpirti krijues për ta lartësuar këtë ndjenjë, për ta përjetësuar dashurinë, atë që është gjithka, siç është kuptimi i fjalës dashuri.
Vargjet e kësaj kënge përshkruajnë një dashuri të pakushtëzuar dhe të përjetshme, ku ndjenjat e dy personave janë të lidhura ngushtë, përtej kohës dhe hapësirës, janë themeli i gjithçkasë dhe përgjithmonshmërisë.
Ato shprehin një përkushtim të thellë dhe një lidhje shpirtërore që nuk mund të thyhet as nga forca më e madhe, madje as nga vdekja, sepse ajo, dashuria, ajo jeton në “JETA IME”, si kuptimi i themeltë i jetës.
Figura poetike e përdorur në vargjet, “Je kuptimi im i fjalës dashuri”, tregon se dashuria është themeli i ekzistencës, ndërsa metafora “Ti je dritë e syve të mi”, e ndriçon shpirtin dhe përditshmërinë me praninë e personit të dashur. “JETA IME”, është një këngë që mishëron idenë e një dashurie universale, ku çdo jetë dhe çdo mundësi ekzistence është e dedikuar kërkimit dhe gjetjes së shpirtit binjak, atij shpërblimi që i jep kuptim jetës dhe asaj mirënjohje që e fisnikëron vetë dashurinë.
Përfytyrimi i një skene intime, i ojnisur me një finesë dhe dlirësi edhe në kripin e këngës, përmes puthjes, përqafimit, shkëmbimit të unazave dhe vallëzimit së bashku, përjetësisht, krijon një ndjesi hyjnimi, duke u bërë simbol i përkryerjes dhe lumturisë.
Fjalët “Mjafton të kem ty me mua, dhe asgjë tjetër nuk dua” përçojnë një mesazh të pastër: dashuria është e vetmja gjë që ka rëndësi. Është ajo dhe gjithçka tjetër është e mundur.
Kënga frymëzon ata që e dëgjojnë dhe besojnë në fuqinë e dashurisë, duke e bërë atë një himn për lidhjet e pandashme dhe premtimet e përjetshme.
Në vigjilje të festave të fundvitit, nuk mund të ishte një kartolinë më e bukur se kjo që Alban Skenderaj dhe Miriam Cani u bëjnë shqiptarëve në përgjithësi dhe fansave të tyre në veçanti, me “JETA IME”.